Dëmtimi i pësuar në ndeshjen kualifikuese për botërorin 2026 kundër Uruguay është shumë më i rëndë sesa mendohej për Neymar Zhunior.

Ylli Brazilian doli në lot përgjatë sfidës së luajtur në Montevideo, dhimbje e shqetësim që mesa duket ka qenë mëse real. Kjo pasi të gjitha ekzaminimet e kryera kanë vërtetuar një dëmtim shumë serioz që me siguri i mbyll përpara kohe sezonin sulmuesit Brazilian.

 

Analizat treguan se kemi të bëjmë me këputje të ligamentit dhe meniskut të gjurit të majtë. Një dëmtim i dyfishtë që do ta detyrojë Neymarin që të bëjë sa më shpejt një ndërhyrje kirurgjikale në bazë të një dakordësie që do të ketë edhe stafi mjekësor i kombëtares me klubin arab Al-Hilal ku ai luan.

Ishte vetë futbollisti i cili publikoi diagnozën bashkë me një mesazh për të gjithë fansat e tij.

 

“Është një moment shumë i trishtuar, më i keqi. E di që jam i fortë, por këtë herë do të më duhen edhe më shumë miqtë e mi . Nuk është e lehtë të përballesh me lëndime dhe operacione . Imagjino të rijetosh gjithçka pas 4 muajsh shërim, shkruan Neymar në Instagram.

 

Neymar vjen pas një tjetër dëmtimi që e mbajti jashtë disa muaj kur luante tek PSG, përpara se të transferohej në Arabi si pasojë e një oferte faraonike të Al Hilal.  31-vjeçari, që ka qenë pjesë e Santos, PSG dhe Barcelonës,  konsiderohet një nga sulmuesit më të mirë në qarkullim, mirëpo dëmtimet e shpeshta kanë bërë që të humbasë shumë ndeshje brenda një sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *