Ëngjëll Ago është anëtar i PD në Berat prej 3 dekadash dhe pret nga kandidatët për drejtimin e Partisë Demokratike një vizion si vjen partia më e madhe e së djathtës në pushtet.

 

ËNGJËLL AGO

ANËTAR I PD

“Zoti president ju thatë nuk rrëzohet Edi Rama. Pse e bëni kaq gjigand, ç’është kjo që nuk na u rrëzoka. A ka metoda demokratike, a janë vjedhur votat, pse nuk mbjell shpresë tek të gjithë këta demokratë që ne do e rrëzojmë Ramën. Por e vetmja alternativë që dhatë zonja Harxhi është unë nuk do bëj si Luli. Dhe the statute që do paraqes unë është që pasi të humbasësh një palë zgjedhje të ikësh e hajt mirupafshim se kështu qenka këtu, hajde dhe ik.”

 

Njësoj si Ëngjëll Ago që debatoi me Bujar Nishanin e Edit Harxhin, demokratët në të gjithë vendin presin të dëgjojnë rrugën që i çon ata drejt fitores. Duke qenë se në takimet e Bashës mediat nuk lejohen, debatet në PD mund të ndiqen vetëm tek takimet e kandidatëve të tjerë. Dhe debatet nisin nga përballja me fenomenin e blerjes së votave deri tek njohja apo jo e rezultatit të 25 prillit.

 

EDITH HARXHI

KANDIDATE  

“Po është e vërtetë unë kam thënë unë do t’i njoh zgjedhjet sepse zgjedhjet janë të njohura brenda e jashtë. Në këto zgjedhje pavarësisht se vullneti i shqiptarëve është tjetërsuar ata kanë fituar sepse ne nuk jemi të bashkuar. Hajde të gjejmë mënyrën se si ne do të vijmë në pushtet.”

 

Agron Shehaj ka shfrytëzuar një takim me demokratët e Kavajës për të shpjeguar se e vetmja rrugë që PD të qeverisë vendin është që të marrë më shumë vota se PS.

 

AGRON SHEHAJ

KANDIDAT PER KRYETAR, PD

“Partia demokratike mund të shkojë në pushtet nëpërmjet votës . Une nuk njoh mënyra të tjera. E nuk jam i gatshëm t’u them demokratëve hajdeni të rrëzojmë Edi Ramën me çfarëdolloj mënyrë tjetër veçse me votë. Zgjedhjet fitohen vetëm nëse ne marrim më shumë vota se Edi Rama.”

 

Ndërsa Lulzim Basha, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të PD e ka bërë të qartë se ai nuk e njeh 25 prillin.

 

“E para, 25 prilli është një masakër zgjedhore dhe unë si kryetar i Partisë Demokratike me përgjegjësi të plotë kam deklaruar se nuk i njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të 25 prillit. Nuk i njoh rezultatet e tjetërsuara dhe vullnetin e tjetërsuar të 25 prillit. Dhe së dyti, se përgjigjja e prerë ndaj ofertës për bashkëpunim pa vija te kuqe dhe fletëve të bardha e të zeza të Edi Ramës është një jo e prerë dhe finale.”

 

75 mijë demokratë janë thirrur të votojnë të dielën e 13 qershorit për kryetarin e ri të PD. Në 2013 Basha ka marrë 80% të votave, në 2017 përballë Eduard Selamit, Basha ka fituar 91% e votave. Mbetet për t’u parë çfarë do të vendosin demokratët për 4 vitet e ardhshme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *