Dëme të mëdha nga përmbytjet, në Fier e Vlorë dhjetëra hektarë me të mbjella janë ende nën ujë
Edhe pse lumi Vjosë tashmë është tërhequr në shtratin e tij, rreth 80 ha tokë bujqësore në fshatin Çerven në bashkinë e Fierit është ende nën ujë.
Banorët thonë se të gjitha tokat e kultivuara me grurë, jonxhë, lakër, por edhe me ullinj janë të përmbytura.
Ata pohojnë se këto toka i disponojnë me ligjin 7501, edhe pse është tokë lumore, ata paguajnë taksa, por nuk dëmshpërblehen.
Fatmirësisht argjinatura e ndërtuar pas vitit 2017 i mbrojti nga përmbytjet e banesave, por mospastrimi i kanaleve kullues ka bërë që tokat buzë lumit jo vetëm të jenë nën ujë, por edhe uji të mos tërhiqet.
E njëjtë është situata edhe në Novoselë të Vlorës.
Banorët shprehen se çdo vit përballen me të njëjtin problem, duke u detyruar të largojnë bagëtinë dhe të ngrejnë orenditë e shtëpive për të shmangur dëmet nga uji.
Niveli në lumin Vjosa, në ditën e gjashtë, ka zbritur në 4.2 metra nga kulmi prej 8.3 metrash të arritur më herët./vizionplus.tv




