Subscribe

Nuk janë të pakta rastet kur qytetarët pësojnë defekte të rënda në pajisjet e tyre elektroshtëpiake, për shkak të luhatjeve të energjisë elektrike. Por kush i mbron konsumatorët nga kjo situatë? Përgjigja është e thjeshtë, askush.

 

Nuk kanë të sosur problemet me energjinë elektrike këtu në Lezhë, konkretisht në fshatrat përreth. Luhatjet e tensionit kanë bërë që shumë familjeve ti digjen pajisjet elektroshtëpiake, por sikundër thonë edhe vetë banorët kompania OSHEE nuk ka kompensuar asnjë prej tyre.

 

Kryeplaku i fshatit Zejmen tregon se demet nga luhatjet e tensionit kanë prekur edhe bizneset e zonës. Rasti më konkret është investimi në një minifermë e një emigranti i cili kursimet e tij i investoi për ngritjen e saj, por prej ditësh pajisjet e tij në fermë janë djegur nga luhatjet e tensionit.

 

Edhe banorët në qytetin e Lezhës ankohen se u janë djegur pajisjet në shtëpi, por askush nga kompania e shpërndarjes së energjisë nuk i ka ardhur në ndihmë për ti kompensuar, ndaj ata janë detyruar ti riblejnë nga e para.

 

 

Aktualisht në kontratën mes OSHEE dhe konsumatorit parashikohet kompensim në rast të dëmtimit të pajisjeve, që vijnë nga luhatjet e tensionit. Por procedurat për të ankimuar si dhe për të përfituar kompensim jo vetëm që nuk njihen nga qytetarët, por nga ana tjetër ato nuk zbatohen në praktikë. Janë kryesisht bizneset ato të cilët e çojnë çështjen në gjykatë, por edhe në këtë rast, vështirë të provohet se demet kanë ardhur nga energjia. Ndaj kompania OSHEE mjaftohet vetëm me vjeljen e faturave të energjisë, ndërsa banorët paguajnë dyfish kostot e një rrjeti tërësisht të amortizuar.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *