Presidenti Ilir Meta këtë të enjte ka publikuar arsytimin e zbardhur për vendimin e dekretimit të Marsida Xhaferllarit si gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.

 

Kreu i shtetit ka sulmuar edhe njëherë tjetër ashtu sikurse në Konferencën për shtyp kreun e KED ardian Dvorani, duke deklaruar se ai kishteshkelur ligjin me praktikën e ndjekur për ngritjen e gjykatës Kushtetuese.

 

“Pra siç rezulton Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me dërgimin e listave për plotësimin e dy vakance në të njëjtën kohë në datë 8.10.2019, në kundërshtim të hapur me kërkesat e Kushtetutës, ka synuar të dhunojë hapur kompetencën kushtetuese të Presidentit të Republikës. Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, nëpërmjet veprimit të tij administrativ u përpoq që ta vendoste Presidentin e Republikës përpara një situate të faktit të kryer që Presidenti të shprehej me dekret në atë moment (brenda datës 7 nëntor) gjë e cila do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të dy dispozitave kushtetuese njëherazi nenit 179, pika 2 dhe 12 dhe disa dispozitave të ligjit nr. 8577/2000. 

Në këtë mënyrë vetëm një shkresë përcjellëse e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi me nr.553 prot, datë 08.10.2019, rrezikonte të përmbyste të gjithë rregullin kushtetues dhe Presidenti u vendos në vështirësi për të ushtruar kompetencën e tij për të emëruar gjyqtarët kushtetues, sipas radhës që përcakton kushtetuta dhe ligji.  

Për të qenë më e kuptueshme me veprimet administrative të Kryetarit të KED-së, parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të miratuar me 140 vota të deputetëve të Kuvendit në 21-22 korrik 2016 dhe dispozitat e ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, të votuar me 86 vota të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, po shkeleshin dhe po përmbyseshin me një shkresë të thjeshtë administrative dhe personale të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. 

Kjo situatë u vlerësua si një shkelje shumë e rëndë nga Presidenti i Republikës.”

Me tej presidenti Meta shpjegon se në kushtetutë nuk është përcaktuar afat 30 ditor për dekretimin e emrave të rinj për anëtarë të gjykatës kushtetuese.

Kuvendi e ka të përcaktuar afatin 30-ditor drejtperdrejt në Kushtetutë. Ndërkohë që Kushtetuta nuk ka të përcaktuar afatin 30 ditor për Presidentin e Republikës dhe as për Gjykatën e Lartë. Ky afat, për Presidentin është i përcaktuar vetëm në ligj. Asnjë dispozitë kushtetuese nuk përcakton as ndonjë afat dhe as ndonjë mekanizëm zhbllokues për Presidentin e Republikës. 

Konkretisht Kushtetuta në nenin 125 pika 2, parashikon se: 

“2. Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar”. 

Pra për Kuvendin e Shqipërisë kushtetutbërësi ka vlerësuar që afati 30-ditor për tu shprehur dhe mekanizmi zhbllokues në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë gjyqtarin kushtetues të jetë i parashikuar drejtpërdrejtë në Kushtetutë, ndërkohë që për Presidentin një gjë e tillë nuk është parashikuar në Kushtetutë.

 

Në fund Meta ndalet edhe tek figura e Xhaferllarit, duke vlerësuar profesionalisht si anëtare të denjë  të Gjykatës kushtetuese.

Presidenti i Republikës, ka analizuar dokumentacionin edhe në prizmin për të kuptuar shkaqet e vërteta të kësaj sjellje të disa anëtarëve të KED. Ka rezultuar se ndaj kandidates në fjalë është ndjekur një proces i verifikimit të kushteve të kandidimit, i ndryshëm nga kandidatët e tjerë, me nota të forta diskriminimi. 

Përsëri KED ka vlerësuar përfundimisht se zonja Marsida Xhaferllari i plotësonte kushtet e kandidimit. 

Nga shqyrtimi i plotë i kësaj çështje Presidentit të Republikës i rezulton se qëndrimi i kandidates, në raport me veprimtarinë e KED-së, ka qenë dinjitoz, profesional dhe në lartësinë e kurajos civile që duhet të karakterizojë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese. 

Edhe pse vazhdimi i kandidimit të mëtejshëm varej nga sjellja paragjykuese e KED-së, edhe pse dukej qartë tendenca diskriminuese e disa anëtarve, ajo nuk ka bërë kompromis me këto vlera. 

Këto janë vlera thelbësore që qendrojnë në themel të përzgjedhjes që Presidenti i Republikës dhe kushdo autoritet tjetër duhet të udhëhiqet. Posti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, si edhe të tjera poste të rëndësishme shtetërore, kërkojnë që zyrtari publik të udhëhiqet nga këto vlera. 

Janë këto vlera të demostruara, të cilat japin garanci, se një anëtar i Gjykatës Kushtetuese, nuk do të përthyhet nga presioni shtetëror apo politik apo i çdo natyre, se nuk do të bëjë kompromis në dëm të Kushtetutës dhe se do mbajë lart reputacionin e Gjykatës Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *