Historia e pluralizmit në Shqipëri ka njohur, besoj edhe në të ardhmen do të shenjojë raste, ku lufta politike ndërmjet forcave politike kundërshtare ka shkuar në ekstremet më të mëdha të një konflikti politik.

 

Por asnjëherë deri më sot nuk ishte e parë, dhe jo vetëm këtu në Shqipëri, që një parti politike të humbiste kaq rëndë arsyen sa të përfshihej në një skemë mirëfilli kriminale mafioze.

 

Sinqerisht, deri dje kemi besuar se interesa të caktuara të grupeve kriminale apo të intrigantëve të ndryshëm, kishin shfrytëzuar interesin legjitim të një opozite, në rastin konkret të PD-së, për të gjetur dhe denoncuar fakte që diskreditojnë qeverinë; kemi menduar se naiviteti i lidershipit të PD-së bëri që kjo parti të përfshihej në një skemë të pastër të shantazhit kundër ministrit përgjegjës për luftën kundër krimit.

 

Ajo çfarë ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qënë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë që përdorë forma mafioze të adresimit të interesave të tyre.

 

Dhe më së pari sot, për fatin e keq të të gjithëve ne, rezulton se Lulzim Basha është autor, regjizor dhe aktor i video-përgjimit të montuar, me të cilin shpreson të bllokojë negociatat e Shqipërisë me BE-në.

 

Nuk i’a vlen të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të një njeriu që edhe pa e njohur dhe pa e ditur kush është, si drita e diellit duket qartë që është një mashtrues fare i rëndomtë, i dënuar disa herë dhe për disa lloje veprash penale!

 

Ajo çfarë duhet të sjellim fort në vëmendjen e opinionit publik dhe veçanërisht të institucioneve përgjegjëse shtetërore, është fakti se është e rrezikshme për fatin e demokracisë skema dhe metoda që përdor PD.

 

Si mundet një parti politike në një vend të Europës të ketë këtë sjellje me ligjin dhe institucionet?!

 

Si ka mundësi që një parti politike në një vend europian përfshihet në inskenime mafioze?!

 

Partia Socialiste do t’i shkojë deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar të nis një hetim penal ndaj këtij mashtrimi politik, të prodhuar në zyrat e SHQUP.

 

Një individ me një skedë të rëndë kriminale, brenda e jashtë vendit, që pranon publikisht se është përdorur nga PD për këtë mashtrim, duhet të përballet me drejtësinë, bashkë me regjizorin e tij.

 

Situata është shumë e rrezikshme!

 

Ky person duhet ose të merret i pandehur, ose me qënë se PD e konsideron dëshmitarin e saj, të merret në mbrojte të posaçme nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Çdo gjë mundet të pritet nga ata që e thirrën për ta përdorur, për të fabrikuar dëshmi të tilla dhe më pas i prenë biletën për ta larguar nga vendi.

 

Ky është një sulm i rrezikshëm kundër institucioneve të shtetit, prandaj Prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.

 

Jemi përpara një skandali të madh ligjor dhe politik, ndaj Prokuroria të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë për sa më sipër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *