Në Kosovë ligjvënësit u përfshinë të enjten në një debat të ashpër pas paralajmërimeve nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Kjo zyrë ka thënë se rritja e çmimit është e pashmangshme për shkak të rritjes së çmimit të energjisë që importon Kosova për të mbuluar mungesat, ndërsa ka propozuar rivendosjen e blloqeve të tarifave për konsumatorët shtëpiak. Të gjithë konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë energji në muaj, do të paguajnë energjinë shtesë të shpenzuar sipas çmimit të importit. Aktualisht çmimi i importit sillet rreth 250 euro për megavat në bursën ndërkombëtare, një shifër kjo shumëfish më e lartë se e çmimit të prodhimit në vend.

 

Qeveria e Kosovës është zotuar të përdorë 75 milionë euro për të zbutur rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Por, partitë opozitare thanë se tarifat e propozuara janë diskriminuese pasi që një pjesë e qytetarëve do të mbajnë barrën e pagesës për të gjithë.

“Kategoria E dhe kategoria D që do të shpenzojnë mbi 800 kilovatë respektivisht mbi 1 mijë kilovatë në muaj janë 200 familje janë 1 milionë banorë të Kosovës këta do të paguajnë për të gjithë ata që shpenzojnë 600 kilovatë. A e dini se qytetari i Kosovës paguan katër here faturën e energjisë elektrike, njëherë paguan faturën e KEDS-it, herën e dytë e paguan subvensionin që kjo qeveri jep 75 milionë euro, herën e tretë paguan për të gjithë ato familje dhe për ato gjitha amvisëri që shpenzojnë deri 600 kilovatë dhe herën e katërt paguajnë për qytetarët serb të veriut”, tha Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

 

“Me propozimin që e keni bërë ju, a e dini ku shkon Kosova? Prej 6 centë shkon në 22 centë pra Kosova shkon me çmimin e energjisë elektrike tarifën e lartë 22 centë krahas me Italinë, e len mbrapa Francën, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, Bosnjën, Serbinë, Ukrainën e plot vende tjera me çmim të energjisë elektrike që ju e keni propozuar”, Arben Gash inga Lidhja Demokratike e Kosovës.

 

“Ky raport që pasqyron ngritjen e tarifave të pamenduar, paparashikuar dhe pa dëgjuar deri më tani na ofron rritje në mënyrë lineara nga 42 për qind e deri në 120 për qind e disa kategori rreth 200 për qind të rritjes së caktuar të tarifave e cila do të jetë barrë për taksapaguesit e Kosovës. Ky është shqetësim i madh social, ekonomik dhe politik por që e prekë edhe sigurinë nacionale”, tha Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës.

 

Kryeministri Albin Kurti tha se rritje të çmimit do të ketë vetëm për sasinë e importuar dhe jo atë që prodhohet në vend. Ai tha se aktualisht mundësitë e Kosovës janë të vogla për të mbuluar kërkesën e madhe të konsumit.

 

“Me 727 megavat kapacitet e me konsum të pikut prej mbi 1.3 Gigavat, me import prej mbi 10 Gigavat orë në ditë me çmime të bursës ndërkombëtare me rreth 250 euro për megavat orë, ne po përfundojmë duke shpenzuar 2 milionë e gjysmë euro në ditë, më tregoni ku t’i marrim paratë? Kjo është pyetja”, tha kryeministri Kurti.

 

Ai akuzoi partitë opozitare për gjendjen aktuale në energjetikë pasi që sipas tij gjatë 20 viteve të tyre në qeverisje nuk kanë bërë asgjë për të shtuar kapacitetet e reja energjetike.

 

Kosova në këtë sezon të dimrit është detyruar të importojë deri 40 për qind të energjisë për shkak të mungesës së kapaciteteve për të mbuluar kërkesat për energjisë elektrike./ Voa

Leave a Reply

Your email address will not be published.