Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi shprehu mirënjohjen këtë të diel për mjekët dhe infermierët që janë në vijën e parë të rrezikut dhe luftojnë për të shpëtuar jetë. Në mesazhin e tij, Ruçi i quan mjekët dallëndyshe që lajmërojnë fitoren e jetës. Duke ju referuar 30 mjekëve dhe infermierëve që u nisën të shtunën drejt Italisë, kryeparlamentari tha se ky gjest lartëson emrin e Shqipërisë.

 

“Rreziku që i kanoset jetës së qytetarëve shqiptarë dhe gjithë njerëzimit nga koronavirusi, na ka bërë më të bashkuar e solidarë me njeri-tjetrin, edhe pse në distancë sociale. Por distanca fizike ka shkurtuar distancën shpirtërore e njerëzore. Shpreh mirënjohjen e thellë të Kuvendit dhe timen personale për mjekët, infermierët dhe personelin që shërbejnë me vetëmohim në vijën e parë të zjarrit dhe shpëtojnë jetët e njerëzve si edhe për punonjësit e policisë dhe pjesëtarët e forcave të armatosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 30 mjekët shqiptarë që nisën dje shërbimin në spitalet italiane u bënë mesagjerë të humanizmit shqiptar, dallëndyshet që lajmërojnë fitoren e jetës. Ata iu bashkuan qindra mjekëve shqiptarë që kontribojnë me përkushtim në mjaft vende të botës, në të pesë kontinentet dhe lartësojnë emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *