Përhapja e koronavirusit po i jep një goditje të rëndë industrisë së fluturimeve ajrore, ndërsa qeveritë në mbarë botën po zbatojnë kufizime dhe pasagjerët po heqin dorë nga udhëtimet nga frika e virusit. Shumë analistë thonë se ndikimi ndaj industrisë së fluturimeve mund të jetë po aq i madh sa ç’ishte pas 11 shtatorit të vitit 2001. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Bill Gallo njofton nga Seuli.

Aeroporti Incheon në Korenë e Jugut është një nyje e rëndësishme udhëtimesh në Azinë Lindore, me rreth 3.4 milion pasagjerë në javë.

Janë orët e para të mëngjesit, që në një ditë të zakonshme do të gumëzhonte nga turmat e udhëtarëve. Por, siç tregojnë pamjet, pothuajse nuk sheh njeri. Kështu duken aeroportet në mbarë botën, me punonjësit në pritje të pasagjerëve që nuk duken gjëkundi, ndërsa qeveritë vënë kufizime për të frenuar përhapjen e virusit.

Disa pasagjerë të shqetësuar bëjnë të pamundurën për t’u mbrojtur nga virusi.

Kam marrë pastrues sanitar për duart dhe po përpiqem të mos prek asgjë”,

“Po përdor maskën dhe kam marrë me vete produkte higjenike”,

“Doja ta anuloja udhëtimin por kisha nevojë të vizitoja vëllain, ndaj po vazhdoj udhëtimin”, thonë disa udhëtarë.

Sipas disa parashikimeve, linjat ajrore mund të humbasin mbi 100 miliard dollarë të ardhura këtë vit. Disa kompani kanë anuluar fluturimet dhe po reduktojnë personelin.

Disa kompani po përpiqen të bindin pasagjerët për sigurinë e udhëtimit me aeroplanët e tyre. Thomas Kaplan është analist aviacioni me kompaninë Cirium.

“Në realitet nuk do të ndihmojë, për aq kohë sa ka kufizime, dhe për aq kohë sa përhapet virusi dhe po rritet shkalla e infektimit. Aktualisht linjat ajrore janë në gjendje mbijetese.”

Zoti Kaplan thotë se prej më shumë se një dekadë industria nuk ka përjetuar një situatë kaq të vështirë.

“Është globale, është bërë pandemi. Udhëtimet po ndikohen në mbarë botën. Dhe kjo vetëm sa ka filluar. Kjo po më kujton situatën pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011 dhe krizën globale financiare.”

Pyetjet më të rëndësishme janë se sa do të zgjasë përhapja e virusit dhe si do të veprojnë qeveritë për të ndihmuar industrinë. Ndërsa shtetet, përfshirë Amerikën, vazhdojnë të shpallin kufizime të mëtejshme, duket se vështirësitë vetëm sa do të shtohen.

Burimi: VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *