Dinamika e masave të ndërmarra nga shtetet europiane në kuadër të pandemisë ndryshon në varësi të situatës epidemiologjike, por nuk ndodh kështu në Suedi.

Shteti skandinav në veri të Europës me një popullsi prej rreth 10 milion njerëzish  vijon të rekomandojë respektimin vullnetar të distancimit fizik apo punës nga shtëpia kur është e mundur ndërsa nuk këshillohet mbajtja e maskave.

Epidemiologu tashmë më i famshëm në botë, Anders Tegnel shpjegon se krahasuar me Britaninë e Madhe ka një diferencë të madhe në valën e dytë të infeksioneve pas rihapjes nga izolimi strikt.

 

ANDERS TEGNELL

EPIDEMIOLOG

 

“Në dy javët e fundit në Suedi janë regjistruar rreth 3 mijë e 500 raste të reja infeksioni ndërsa rreth 55 mijë në Britaninë e Madhe. Arsyeja kryesore ndoshta është fakti se Britania e Madhe pati një hapje të menjëherëshme pas një izolimi shumë strikt ndërsa Suedia mbajti të njëjtën linjë rregulloresh dhe rekomandimesh në të gjithë kohën dhe njerëzit i kanë ndjekur ato.”

 

Ndërsa ministrja suedeze e shëndetësisë pranon se strategjia që kanë ndjekur në menaxhimin e pandemisë është e guximshme por nuk kanë dyshuar efektivitetin e saj.

 

LENA HALLENGREN

MINISTRE E SHËNDETËSISË, SUEDI

 

“Ne kemi synuar që në fillim të ndjekim një strategji të qëndrueshme dhe afatgjatë, jemi vendi i vetëm në Europë që ndejim këtë linjë dhe sigurisht kjo është e guximshme por nuk do ta bënim nëse nuk do të besonim që do të funksiononte. Çështja nuk është të mbijetojmë por të jetojmë, kjo ka qenë pika kyçe për autoritetet suedeze.”

 

Në shumë vende të tjera të kontinentit të vjetër janë vendosur kufizime të pjesshme dhe fasha orare për bizneset.

Në Spanjë, Francë, Holandë, Gjermani, Danimarkë, Belgjikë dhe Portugali  grumbullimet e njerëzve janë të limituara dhe bizneset duhet të mbyllen nga ora 22:00. Inkurajohet puna nga shtëpia, mbajtja e maskave në transportin publik dhe nuk lejohet prania e tifozëve në aktivitetet sportive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *