Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka vlerësuar me cmimin Nobel në Fizikë, tre shkencëtarët që kontribuan në të kuptuarit e sistemeve komplekse fizike.

Japonezi Shukuro Manabe, gjermani Klaus Hazelman dhe shkencëtari italian Xhorxho Parizi kanë analizuar fenomenet kaotike dhe në dukje të rastësishme, duke hedhur themelet e njohurive për klimën e Tokës dhe sesi njerëzimi ndikon në të.

 

THORS HANS HANSSON

KRYETAR I KOMITETIT NOBEL PER FIZIKE

 

“Zbulimet që u njohën këtë vit tregojnë se njohuritë tona për klimën mbështeten në një bazë të fortë shkencore, bazuar në një analizë rigoroze të vëzhgimeve. Laureatët e këtij viti kanë kontribuar që ne të kemi një pasqyrë më të thellë mbi vetitë dhe evolucionin e sistemeve komplekse fizike.”

 

Shukuro Manabe demonstroi sesi nivelet e rritura të dioksidit të karbonit në atmosferë çojnë në rritje të temperaturave në sipërfaqen e Tokës. Në vitet 1960, ai drejtoi zhvillimin e modeleve fizike të klimës së Tokës dhe ishte personi i parë që eksploroi ndërveprimin midis bilancit të rrezatimit dhe transportit vertikal të masave të ajrit.

 

Rreth dhjetë vjet më vonë, Klaus Haselman krijoi një model që lidh motin dhe klimën, duke iu përgjigjur kështu pyetjes pse modelet e klimës mund të jenë të besueshme pavarësisht se moti është i ndryshueshëm dhe kaotik. Metodat e tij janë përdorur për të vërtetuar se rritja e temperaturës në atmosferë është për shkak të emetimeve të dioksidit të karbonit nga njerëzit.

 

Rreth vitit 1980, Xhorxho Parisi zbuloi modele të fshehura në materiale komplekse të çrregullta. Zbulimet e tij janë ndër kontributet më të rëndësishme në teorinë e sistemeve te nderlikuara.

 

Ato bëjnë të mundur kuptimin dhe përshkrimin e shumë materialeve dhe fenomeneve të ndryshme dhe në dukje krejtësisht të rastësishme, jo vetëm në fizikë, por edhe në fusha të tjera, si matematika, biologjia, neuroshkenca dhe inteligjenca artificiale.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *