Spektakolare dhe magjike ishte mbrëmja e të martës në ekranin e Tring, ku skuadrat më të mira europiane luajtën ndeshjet e treta në Champions League.

Dueli më i i fortë ishte ai mes Atletiko Madrid dhe Liverpool, ku edhe këtë herë The Reds bënë detyrën, duke siguruar  fitoren e 3 në po kaq ndeshje.

Një sfidë e luftuar deri në fund edhe pse miqtë shënuan shpejt dy gola .

Fillimisht Salah dhe më pas Keita bënë të besohej se fitorja do të ishte e thjeshtë. Megjithatë emocionet në Madrid sapo kishin nisur. Protagonisti absolut i spanjollëve ishte padiskutim Griezman, që me dy golat e tij dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-2, mirëpo në pjesën e dytë fati e tradhtoi francezin, që pas një ndërhyrje të ashpër ndaj  Roberto Firminjos u ndëshkua me karton të kuq.

Nga kjo përfituan anglezët, që shënuan dhe të tretin me Salah dhe mbyllën gjithçka me shifrat 3-2. Një fitore që mban skuadrën e Klopp ne vendin e parë në kuotën e 9 pikëve, ndërsa ndiqet nga Atletiko me 5 pikë më pak. Nga ana tjetër Milani zbehu dhe më shumë shanset për kualifikim, pasi regjistroi humbjen e tretë dhe këtë herë përballë Portos.

Një duel ku mungesat ndikuan jo pak për kuqezinjtë, që prodhuan shumë pak lojë dhe u ndëshkuan në pjesën e dytë me Luis Diaz.

Në grupin D, Interi mori fitoren e parë përballë Sherif Tiraspolit. Zikaltërit mundën  moldavët me shifrat  3-1 ku Xheko , Vidal dhe De Vraj firmosën për këtë takim. Miqtë barazuan përkohësisht me Thill, por kaq nuk mjaftoi që ata të vijonin spektaklin e tyre.

Edhe Reali bëri detyrën pasi mundi  5-0 Shaktar Donjeck në transfertë. Një autogol i Krytsov vendosi për pjesën e parë,  ndërsa në të dytën madrilenët shpërthyen në gola. Vinicius dy herë, Rodrigo dhe Benzema në fund i dhanë tri pikët skuadrës spanjolle, që shkon në kuotë të barabartë pikësh me Sherif Tiraspolin, ndërsa Interi gjendet në vendin e tretë me 2 pikë më pak.

Ndeshje e bukur ishte dhe ajo mes PSG dhe Laipzig ku francezët triumfuan 3-2 mes shumë vështirësish. Protagonistë të ndeshjes ishin Mbape dhe Leo Messi, që me dy dy golat e tij vulosi fitoren e skuadrës së Pocetinos. Ndërsa talenti francez veç golit të shënuar , humbi dhe një penallti në fundin e takimit. Në ndeshjen tjetër të grupi Manchester City nuk e diskutoi fitoren me Club Bruzh dhe mposhti belgët me rezultatin e thellë 5-1.

Suprizues ishin rezultatet dhe në grupin C, ku Ajaksi mundi 4-0 Dortmundin, ndërsa Beshiktashi u mund në shtëpi nga Sportingu me shifrat 4-1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *