Subscribe

Reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama pas masakrës së Velipojës, është paralajmërimi i një reforme në radhët e Policisë së Shtetit. Shefi i qeverisë, edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt vrasjen e 4 personave, deklaroi se ka thirrur në takim ministrin e Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit për të diskutuar masat e reja për situatën e rendit e sigurisë.

 

“Do t’ju kërkoj ndjesë për t’u larguar sepse kam thirrur ministrin e Brendshëm dhe disa nga drejtuesit kryesorë të policisë për të mos humbur kohë për të lancuar sa më shpejt një fazë të re të ristrukturimit që është përgatitur, por që për arsye të mirëkuptueshme është moment që të përshpejtohet me disa javë dhe të mos presim fundin e verës.”

 

 

Ky reagim i kryeministrit erdhi pas nje takimi me Asamblenë e PS në Vlorë dhe vetë Edi Rama nuk e fshehu shqetësimin për mënyrën si po drejtohet Bashkia e këtij qyteti nga Dritan Leli.

 

“Është e rëndësishme që ne vazhdojmë intensivisht punën këtu në Vlorë. Sa i përket administrimit të vogël unë jam jashtëzakonisht i shqetësuar, jo vetëm për Vlorën por me bashkitë që kanë detyrime ekstra që lidhen me industrinë e turizmit.”

 

Rama ka përsëritur se pavarësisht se në shtator do të jetë deputet i Durrësit, raporti i tij me Vlorën nuk do të ndryshojë.

 

“Formalisht jam deputet i Durrësit edhe për t’i kushtuar një vëmendje të veçantë me praninë si deputet. Por unë do të vazhdoj të jem në Vlorë, madje për të bërë edhe më shumë. Me Vlorën nuk me lidh e nuk më ndan mandati i deputetit. “

 

Mbledhja me socialistet në Vlorë zgjati rreth një orë dhe mësohet se lideri i mazhorancës ka theksuar se deputetët nuk do të merren më me emërime drejtorësh, por duhet të jenë në shërbim të qytetit. Në raport me kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Rama është treguar i prerë, e ka përsëritur se Leli e ka përjashtuar veten nga partia ditën që refuzoi të ishte deputet i PS.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *