Çfarë do të ndodhë me çmimin e energjisë pas vitit të ri? Rama, porosi ministres para pensionistëve
Në turin e tij të takimeve me pensionistët, Edi Rama nga Fieri së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, shpjegoi se pse qeveria e ka ndërmarrë këtë nismë për të mbështetur të moshuarit tani dhe jo më herët.
“Tani i kemi mundësitë. Ekonomia është rritur duke na lejuar ne të mendojmë mbi këtë plan”, tha Rama.
Shefi i qeverisë kishte edhe një përgjigje për kritikët, lidhur me masën e indeksimit prej 4.1% për pensionistët gjatë muajit tetor.
“Indeksimi është një detyrim. 4.1% nuk është rritje është indeksim që e bëjmë çdo vit.”, shtoi Rama.
Në takimin me pensionistët e qarkut Fier, Rama njoftoi se çfarë ka në plan qeveria të bëjë për këtë kategori.
“Po mendojmë që bonusi të jetë më i lartë se ky që është aktualisht. Ky bonus do të jetë i menjëhershëm, por ne duam që ta kemi dhe të përhershëm. Do ketë një fond që do e lëmë mënjanë çdo vit për pensionistet. Kemi një projektim për një rritje graduale të pensioneve në mandatin e ardhshëm. Ndërkohë po punojmë edhe për një tjetër masë. Që të lidhim rritjen ekonomike me pensionistët.”, theksoi kreu i qeverisë.
Në fund të fjalës së tij, Rama kishte dhe një premtim për mbi 700 mijë pensionistë në të gjithë vendin.
Këtë vit do buzëqeshni më shumë se çdo fund viti tjetër. Natyrisht buzëqeshja s’ka limit, por është e rëndësishme që do të buzëqeshni më shumë se viti kaluar./vizionplus.tv




