Subscribe

Edhe pse verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme për Tom Doshin nuk prodhoi asnjë të dhënë të re që mund ta bënte atë subjekt të ligjit të dekriminalizimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ta shqyrtojë atë.

ILIRJAN CELIBASHI
KOMISIONERI SHTETETOR I ZGJEDHJEVE

Do të marri vlerësimin dhe konsiderimin e institucionit të KQZ-së

Vendimi për ta shqyrtuar edhe pse Tom Doshi nuk preket pasi nuk është deputet, risjell në vëmendje debatin e zhvilluar para zgjedhjeve të 25 Prillit. Në atë kohë Partia Demokratike kërkoi që Tom Doshi të mos kandidonte për deputet pasi “non-grata” është i njëjtë me dëbimin dhe për të cilin, ligji i dekriminalizimit të ndalon kandidimin ose të heq mandatin e deputetit. I pyetur nga Vizion Plus për këtë çështje, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, tha:

Në momentin që do të bëjmë një vlerësim të plotë do të japim edhe opinionin tonë ose do të prezantojmë vendimarrjen. Nuk mund ta them tani pa e shqyrtuar rastin.

Mbetet për t’u parë se cila do të jetë vendimmarrja e Ilirjan Celibashit. Nëse “non grata” do të cilësohet dëbim, nga kjo vendimmarrje do të preket ish kryeministri Sali Berisha i shpallur i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion sinjifikativ. Në pritje të vendimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri me dije se rinumërimi i 520 kutive të votimit vërtetoi raste të tjetërsimit të votës nga numëruesit. Këta të fundit, do të ndëshkohen me gjobë ose do të ndiqen penalisht.

ILIRJAN CELIBASHI
KOMISIONERI SHTETETOR I ZGJEDHJEVE

Personalisht nuk ma rrek mendja që kandidatët për deputetë, sidomos duke parë edhe profilin e disave të jenë të angazhuar në këtë proces. Shpesh kemi një vullnet dhe demonstrim servilizmi të komisionerëve kundrejt kandidatëve të partive të cilët ata përfaqësojnë. Nuk mund të jetë gabim teknik nëse ti shikon që një kandidati i janë hequr 10 apo 15 vota dhe shikon që po ky numër votash një kandidati tjetër i janë shtuar.

Verifikimi pas-zgjedhor vërtetoi që identifikimi i kandidatëve për deputetët me numra, siç e donte Partia Socialiste ishte një gabim.

ILIRJAN CELIBASHI
KOMISIONERI SHTETETOR I ZGJEDHJEVE

41% janë të pavlefshme sepse është votuar për më shumë se një subjekt zgjedhor, 25% janë të tilla sepse është votuar për një subjekt politik dhe për kandidatin e subjektit tjetër. Shpresoj që të gjithë të ndajmë të njëjtin mendim do të ishte më mirë që në fletën e votimit kandidati për deputet te identifikohet me emër.

Me certifikimin si të ligjshme të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit të 2019-ës nga Gjykata Kushtetuese, KQZ është gati për të organizuar zgjedhjet në 6 bashki të cilat kanë mbetur pa kryetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *