Subscribe

“Melia Durrës” në “San Pietro Resort”, pranë Gjirit të Lalzit është investimi i radhës prestigjoz i “Concord Investment” në sektorin e turizmit në Shqiperi.

 

Bëhet fjalë në fakt për një bashkëpunim të rëndësishëm dhe të frytshëm me brandin prestigjoz spanjoll dhe një nga më të rëndësishmit në botë, “Melia Group”.

 

CEO i  “Concord Investment”, Artan Dulaku gjatë një intervistë të posaçme për emisionin E-Zonë, tregoi të gjithë impresionet mbi këtë investim të rëndësishëm që u finalizua me ndërtimin e hotelit më prestigjoz në Shqiperi , dhe një nga më të mirët në rajon “Melia Durrës”.

 

Ai  rrëfeu edhe planet e të ardhmes në sektorin e turizmit dhe bashkëpunimin në vazhdim me “Melia Group”.

 

 

 

Pyetje: Ju keni realizuar një sërë projektesh, por kjo është intervista juaj e parë për Vizion Plus. Pse kjo qasje?

 

Artan Dulaku: Ka një arsye për këtë. Arsyeja është se ne e konsiderojmë Vizion Plus si një aset kombëtar dhe jo një aset personal. E kemi gjykuar që nuk mund ta përdorim për komercializimin e vetes tonë. E kemi lënë në distancë si një gjë publike, më shumë sesa një gjë personale, private.

 

Pyetje: Si ndiheni që keni realizuar investimin më të madh në vend dhe në rajon?

 

Artan Dulaku: Në thelb, kush është sipërmarrës në momentin që ka finalizuar projektin e ëndrrave të tij, mendon për projektin e tij të radhës. Ne jemi të mallkuar nga kjo pikëpamje. Patjetër që jemi krenarë për atë që kemi realizuar, por tashmë jemi duke menduar për projektin tonë të radhës.

 

Pyetje: A ishte ky projekt, pra “San Pietro Resort”, projekti më sfidues?

 

Artan Dulaku: Ky është më i madhi i deritanishëm. Parimi jonë është sot më mirë se dje dhe më keq se nesër. Ajo që do të vijë nesër është më e madhe, ne kemi dy projekte të tjera madhore.

 

Pyetje: Pse ka qenë e vështirë të bindnin grupin “Melia”, të ishte prezent në tregun tonë?

 

Artan Dulaku: Flasim për pesë vite më përpara, atëherë kur situata ishte totalisht tjetër. Ne bëmë maksimumin në atë kohë, që të tërhiqnim interesin e kompanive të ndryshme që operojnë në fushën e turizmit, por ishte shumë e vështirë, sepse konotacioni i Shqipërisë ishte shumë negativ në atë kohë. Kur trokisja në dyert e operatorëve të ndryshëm turistikë, pyetja e tyre e dytë e radhës pas “pse duhet të vijmë në Shqipëri”, ishte “kush është tjetër në Shqipëri”. Dhe realisht nuk ishte askush. Për këdo ishte sfidë, pse duhet të shkoj unë i pari, pse nuk ka të tjerë. Këto ishin dilema që frenonin mundësinë e një kontrate biznesi me ta. “Melia” ishte një gjetje e jona, sepse kishim iniciativë dhe pamë atë që do të ndodhte pas 5 vitesh, që të tjerët nuk e panë. “Melia” hyri, bëri kontratën, kjo ngriti automatikisht interesin dhe të gjithë trokisnin në dyert tona, për të thënë që duam edhe ne të bashkëpunojmë.

 

Pyetje: Si u përzgjodh grupi “Melia”?

 

Artan Dulaku: Në tregun evropian të ‘hospitalities’, më i miri është Ancori, francez, pastaj vend i dytë, i tretë, i dhjetë janë spanjollët. Ka një arsye pse spanjollët janë të parët që hapën konceptin e ‘All Inclusive’ dhe krijuan eksperiencë në këtë fushë. “Melia” në Spanjë është në top. Ne zgjodhëm më të mirin.

 

Pyetje: A do të jetë ky hoteli më i madh edhe për disa vite?

 

Artan Dulaku: Besoj se deri në 5-vjeçarin e ardhshëm “Melia” do të mbajë flamurin e hotelit më të madh në vend dhe rajon.

 

Pyetje: Pas hyrjes së “Melia”-s në treg, a ka interesime nga brande të tjera hoteliere që duan të vijnë në vendin tonë?

 

Artan Dulaku: Shqipëria është vendosur në hartën evropiane të turizmit. Ne kërkojmë që numri i turistëve shumë shpejt të arrijë në 10 milionë turistë në vit dhe të gjithë tur-operatorët sot e kanë në fokus Shqipërinë. Ne kemi kontakte me Ancor, Barcelonë, Katalunjë, me të cilët jemi në bisedime për mundësinë e bashkëpunimit.

 

 

Pyetje: A ndalen ambiciet e grupit me këtë investim?

 

Artan Dulaku: Planet tona janë që brenda 2030 të realizojmë dorëzimin e 3 mijë çelësave, në zhargon quhen 3 mijë dhoma, që do të thotë rreth 8 hotele. Projektet tona madhore të së ardhmes janë njëri në Sarandë dhe i dyti është “Arameras” në Ksamil, i treti më pas është në Vlorë.

 

Pyetje: A e shihni turizmin si degën kryesore të zhvillimit ekonomik për të ardhmen?

 

Artan Dulaku: Duket që politikanët shqiptarë kanë një zgjidhje që të largojnë stresin te turizmi, si degë bazë e ekonomisë së vendit dhe ne duke kuptuar këtë, kemi parë një mundësi për të investuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *