Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj zhvilloi këtë të diel në Hagë një takim me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Lirim Greuiçevci.

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Cakaj u shpreh se Tribunali i Hagës po gjykon krerët e UÇK-së, duke pasur në shënjestër vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Kosovën në tërësi, gjë që sipas tij është qasje e padrejtë.

 

Sa i përket krimeve kundër njerëzimit, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, Cakaj tha se jo vetëm që nuk janë hetuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare.

 

“Gjatë qëndrimit në Hagë, zhvillova një takim edhe me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hollandë, z. Lirim Greiçevci, për të biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale! Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada rradhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq. Ndërkohë, krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre. Për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare! Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush! Mbështetje e solidaritet i plotë i Shqipërisë me Kosovën në këto rrethana jo të lehta për krejt kombin shqiptar#LiriaKaEmër #UÇK #JemiNjë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *