Në kuadër të përvjetorit të ditës së OKB-së, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit kanë organizuar aktivitetin dedikuar mjedisit.

Në këtë aktivitet, morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Brian J. Williams, Delegatja Rinore e Shqipërisë në OKB, Ilda Methasani, pjesëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri dhe mjaft personalitete shqiptare e të huaja të fushave të ndryshme.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ka “Planin e Veprimit për Zbutjen e emetimeve të gazit karbonik në natyrë” dhe ” Planin Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike”.

Krahas kësaj, kryediplomati Cakaj theksoi se këto dokumente janë pjesë e synimit të Shqipërisë për të zvogëluar me 45% emetimet e gazrave karbonik në natyrë në dekadën e ardhshme për të shkuar përfundimisht drejt emetimit zero.

“Shqipëria do ta ketë çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe veprimin për klimën pjesë themelore të politikave të saj gjatë Kryesisë së OSBE-së 2020 dhe pjesë qëndrore të platformës së saj për kandidaturën për një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit  të OKB-së 2022-2023”- nënvizoi ministri në detyrë Cakaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *