Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj këtë të premte është takuar me pesë studentë ekselentë të cilët janë bërë pjesë e shërbimit diplomatik të Republikës së Shqipërisë.

 

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook Ministri në Detyrë Cakaj thekson se 5 studentë i janë bashkuar diplomacisë shqiptare!

 

Cakaj ndër të tjera thekson se qëllimi themelor i reformave në zhvillim e sipër në ministrinë që ai drejton është fuqizimi i diplomatëve të karrierës.

 

“Në këtë kuptim, ndryshimi i ligjit për shërbimin e jashtëm është i domosdoshëm për të përcaktuar kufirin e qartë të numrit të mundshëm të diplomatëve jashtë sistemit dhe po ashtu dhënien përparësi të padiskutueshme për diplomatët e karrierës në raport me emërimet nga jashtë”.

Ministri në Detyrë Cakaj njofton gjithashtu se është zhbllokuar mekanizmi i dhënies të gradave diplomatike.

“Vlen të theksohet se ka qenë tepër me rëndësi dhënia e përparësisë për gradat fillestare për diplomatët e rinj. Shumica e atasheve/ sekretarëve të tretë tashmë kanë marrë besimin për të shërbyer nëpër misionet diplomatike dhe konsullore të Shqipërisë nëpër botë. Kjo është një masë e domosdoshme për të ri-energjizuar misionet diplomatike por edhe për të rritur aftësitë profesionale të diplomatëve të rinj”.

Së fundmi, në vazhdën e përpjekjeve për zhvillimin cilësor të Shërbimit të Jashtëm, Cakaj vlerëson punën e Akademisë Diplomatike brenda MEPJ.

“Akademia Diplomatike gjatë gjithë kësaj periudhe ka intensifikuar angazhimet e saj në funksion të rritjes së profesionalizmit të shërbimit diplomatik. Vetëm gjashtë mujorin e parë të vitit 2019, në bashkëpunim me mbi 24 organizata ndërkombëtare, akademi të huaja dhe institucione diplomatike, janë kryer dhe vijojnë të kryhen mbi 30 kurse trajnimi në vende si Bullgari, Çeki, Estoni, Hollandë, Gjermani, Indi, Kroaci, Malajzi, Mal i Zi, Turqi, Zvicër, e më tej”.

 

Gjithashtu në këtë takim Cakaj është shprehur se së shpejti do të ketë masa të reja në funksion të transformimit cilësor të diplomacisë së Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *