Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi i doli në mbrojtje ish-kryeministrit Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur “non grata”. Në “Facebook”, Bylykbashi renditi arritjet e Shqipërisë që sipas tij, i atribuohen Berishës.

 

“Në vitin 2006 Kryeministri Berisha bindi të gjitha shtetet e BE-së që të nënshkruajnë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin themeli i kësaj arritjeje. Në vitin 2009 NATO na pranoi si shtet anëtar. Kryeministri Berisha udhëhoqi procesin e anëtarësimit. Ne nuk kemi ushtri të madhe dhe sigurisht lufta kundër  korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin një kriter i rëndësishëm. Po në vitin 2009 BE pranoi kërkesën e Kryeministrit Berisha për antarësim. BE vlerësoi reformat dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vitin 2010 BE hoqi vizat për shqiptarët. Lufta kundër korrupsionit ishte kusht themelor për këtë dhe qeveria e Kryeministrit Berisha e përmbushi. Në vitin 2013 Kryeministri Sali Berisha mundësoi zgjedhje të lira e të ndershme dhe rotacion demokratik paqësor me votë. Ato zgjedhje mundësuan, pak muaj më pas, marrjen e Statusit të Vendit Kandidat nga BE. Sali Berisha është një nga mbështetësit kryesorë në 2015-2016 të reformës kushtetuese në Drejtësi. Në janarin e vitit 2016 ai kërkoi i pari publikisht që SPAK dhe BKH të ishin të pavarura nga qeveria e të miratoheshin pa pritur të miratohej e gjithë reforma.”

 

Në vijim, Oerd Bylykbashi sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se gjatë qeverisjes së tij, ndryshe nga koha e PD-së, sipas tij, Shqipëria nuk bëri asnjë hap para.

 

“Në tetë vite Edi Rama nuk ka bërë as edhe një fraksion të asaj që ka bërë Sali Berisha. Në tetë vite ai e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro në integrimin europian, ndërkohë qeveria shqiptare konsiderohet thellësisht e korruptuar. Nën qeverisjen e tij shitblerja e votës, që me ligj quhet korrupsion, për herë të parë u bë problemi më i rëndë dhe i përhapur i zgjedhjeve. Këto janë fakte kokëforta që nuk ka njeri që nuk i njeh e që nuk kanë nevojë për interpretim.”

 

 

Të mërkurën, DASH njoftoi se Sali Berisha dhe familja e tij janë përfshirë në “listën e zezë” të SHBA-së sepse kanë kryer akte korruptive e kanë minuar demokracinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *