Oerd Bylykbashi reagoi pasi fitoi mandatin e deputetit në zgjedhjet e 25 prillit. Ai falënderoi të gjithë qytetarët që e votëbesuan dhe tha se krenari e këtyre zgjedhjeve është se mbështetja për PD u rrit.

 

“Ju falenderoj që besuat në një politikë të drejtë ku rëndësi ka integriteti dhe jo pazari. Ju premtoj që do t’ju përfaqësoj si deputet i Partisë Demokratike me dinjitet dhe integritet në parlament dhe do të përpiqem modestisht që gjërat të ndryshojnë për më mirë. Unë besoj se Partia Demokratike është një emër shumë më i madh se kushdo prej nesh. E kemi nder të jemi pjesë kontribuuese e saj. PD do të jetë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave edhe kur të zëvendësohemi nga të tjerë. Është fat të lëmë një gjurmë në librin e saj të madh. Për këtë arsye falenderoj nga zemra të gjithë anëtarët e strukturave të Partisë Demokratike dega Durrës dhe forumin rinor për punën e palodhur këto muaj. Një falenderim i posaçëm u shkon anëtarëve të strukturave të lagjeve të qytetit me të cilët pata nderin të punoj çdo ditë në këtë fushatë. Duhet të jenë krenarë që arritën të rrisin me 80% Partinë Denokratike. Ky ishte qëllimi juaj dhe i imi si kandidat përtej projekteve personale. Sot, si 30 vjet më parë me 31 Mars 1991, ne nuk u ndeshëm me Partinë Socialiste por me shtetin padron që përdori çdo pushtet, paranë kriminale e korruptive, kontrollin kapilar si edhe presionin.”

 

Ai deklaroi se Partia Demokratike do të ringrihet për të rrëzuar shtetin e kapur nga kriminelët, sipas tij, dhe për të rikthyer shpresën.

 

“Me 25 Prill fitoi shteti i kapur nga të fortët, oligarkët dhe politikat klienteliste. Partia Demokratike do të ngrihet për ta mundur këtë model ashtu siç u ngritëm 30 vite më parë, për një Shqipëri ndryshe dhe për të rinjtë që tek ne  kërkojnë shpresë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *