Subscribe

Parlamenti miratoi buxhetin e 7 të qeverisë socialiste, i cili është buxheti me të cilin Edi Rama do të shkojë para shqiptarëve për të kërkuar mandatin e tretë. Por më shumë se zgjedhjet parlamentare që janë vetëm 6 muaj larg, ky buxhet është shënjuar nga nevoja për t’u përballur me dy kriza; tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë së koronavirusit.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Buxheti i një force politike që nuk i ka bërë bisht përballjes me dy kriza të njëpasnjëshme, dy goditje të njëpasnjëshme; një goditje nga tërmeti dhe një goditje që faktikisht ka tronditu gjithë planetin jo vetëm ekonominë shqiptare. Përkundrazi kemi reaguar me një bindje të fortë që janë dy kriza që duhen kthyer në dy mundësi të mëdha, janë dy kriza nga të cilat ne duhet të dalim më të fortë.”

 

Rama ka theksuar se çdo familje banesa e së cilës është shkatërruar plotësisht apo pjesërisht do të përfitojë falas një shtëpi të re ose të rikonstruktuar, por është një proces që kërkon kohë.

 

“Janë afro 30 mijë familje të prekura nga kjo fatkeqësi, që nga ato qe e humbën shtëpinë fare dhe ishin pa çati të nesërmen tek ato qe nuk banojnë dot ende tani që flasim sepse janë te dëmtuara dhe për te gjitha ato familje ky vend ka pasur zot, sepse asnjë nga ato familje nuk është lënë si familjet qe u përmbyten ne Shkodër, 5 a 6 milionë dollarë ishin dhe u desh qe te vinim ne në pushtet që t’i merrnin paratë.”

 

Nga ana tjetër shefi i qeverisë ka vënë në dukje ato elemente që iu vijnë në ndihmë biznesit me zerimin e taksave për biznesin e vogël apo rritjen e pagave

 

“40% rritja e pagave për mjekët dhe infermierët, për të gjithë bluzat e bardha të republikë së Shqipërisë është një angazhim i këtij buxheti, miratohet nga ky parlament. Edhe rritja e pagave për mësuesit në këtë buxhet që miratohet sot është aty, angazhim për sot, nesër, e për të ardhmen.”

 

Rama ka pranuar se ajo çka socialistët kanë realizuar në dy mandate nuk përfshin përmbushjen e të gjitha premtimeve që e sollën të majtën në pushtet

 

“Dhe pse nuk është e gjitha e duam ne mandatin e tretë dhe pse vetëm ne mund ta bëjmë të gjithën do të na e japin ne mandatin e tretë, nuk do tua japin juve. Nuk do tu japin juve dhe as atyre që janë jashtë. Se nuk kanë çfarë ju japin, se edhe ajo ju duhet, t’ju japin votën e t’ju sillni Monikën dhe Ilirin në dasmë.” 

 

Ndërsa ka kaluar ligjin më të rëndësishëm financiar për vitin e ardhshëm, kryeministri Edi Rama është shfaqur i bindur se do të fitojë për herë të tretë zgjedhjet parlamentare.

 

“Duan, s ‘duan të gjithë, mor të mblidhen bashkë, mor të ndahen veç, mor të vijnë paketë , ka vetëm një këtu, ka vetëm një forcë këtu, nuk ka tjetër, po ju them nuk ka tjetër dhe ajo forcë quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *