Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në një drekë pune ne Bruksel, me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së.

 

Ai vlerësoi mbështetjen e unionit dhe nënvizoi se arritjet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e reformave që lidhen me integrimin evropian, përbëjnë një bazë të shëndoshë për punën e mëtejshme për negociatat e anëtarësimit.

 

“Së bashku me ministrat e vendeve anëtare të BE dhe vendeve kandidate, sot diskutuam për perspektivën e zgjedhurimit. Jam i gëzuar sepse u rikonfirmua një mbështetje e qartë për politikën e zgjerimit. Natyrisht puna nuk ka përfunduar, i gjithë ky motivim që vjen nga ana e vendeve anëtare në BE, duhet të nxisë të gjithë forcat politike parlamentare për të vijuar më tej me reformat, për të zbatuar më tej reformën në drejtësi  në tërësinë e saj në mënyrë të plotë dhe për të hequr të gjitha pengesat që vijnë në këtë drejtim, sepse procesi i vendimmarrjes për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE, është dhe duhet të përbëjë një përparësi kombëtare dhe duhet të dalë mbi çdolloj sherrnaje politike dhe paragjykimi partiak”.

 

Bushati theksoi se Shqipëria e konsideron 2018-ën, si një vit të rëndësishëm edhe për rajonin.

 

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm vlerësuan përkushtimin në vazhdimësi të Shqipërisë për agjendën e reformave dhe nënvizuan rëndësinë e rezultateve në reformën në drejtësi për ecurinë e integrimit evropian të vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *