Kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e sotme është ndalur në Burrel, ku ka prezantuar paketat sociale që qeveria shqiptare ofron për çdo qytetar në çdo cep të vendit, me në fokus fëmijët me aftësi ndryshe, gratë, të rinjtë dhe të moshuarit, duke nisur nga kujdesi shëndetësor, strehimi social, mbështetja për punësim dhe bonuset e veçanta sipas kategorive.
Kreu i qeverisë tha se gjatë viteve të fundit, Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara duke nënvizuar se ka një program ambicioz për strehimin.
Rama: Kjo zonë ka malet dhe ka pyjet e mahnitshme…Ky qytet nuk njihet më në krahasim se me çfarë ishte. Burreli është kthyer në një nga zonat më të kërkuara. Kam shumë besim që do të kemi një impakt të rëndësishëm me programin e strehimit social.
Rama u ndal te politikat sociale që ka qeveria në rast se do të fitojë mandatin e katërt më 11 maj. Synimi kryesor është që pensioni minimal të shkojë 200 euro, ndërsa ai mesatari në 400 euro.
Rama: Nuk përmenden që ka pensione që janë 500 mijë lekë. Ndërkohë që të tjerët për të njëjtat vite punë, për të njëjtën punë, që ka dalë në pension përpara reformës marrin pension 200 mijë lekë. Pse? Sepse nuk u bë politikë pensionesh. U bë çmenduri. U nxorën njerëzit në pension që 40 vjeç.
U vu një tavan, nuk kishte më rëndësi për sigurime shoqërore. Këta që janë në shtresën, kategorinë e viktimave të këtyre madhështorëve. Të ketë pasur Naltmadhninë dhe të votosh Kujtim Gjuzin. Ata e bënë këtë. Bonuset janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Kemi dhënë 160 mln euro, cash për pensionistët. Nuk janë pak për këtë shtet, por as shumë për ta. Do synojmë që pensionin minimal ta çojmë 200 euro dhe mestararin 400 euro. Në fund të ditës kjo është një histori lekësh./vizionplus.tv





