Burg vrasësit të italianit, Kamber Sulçaj “kyç” gojën në Gjykatë. Krimi, pas debatit për dritat e gjata të makinës
Dy ditë pas vetëdorëzimit të tij në polici, Kamber Sulçaj, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi, ka dalë përpara gjykatës në Gjirokastër për t’u njohur me masën e sigurisë.
Avokati i tij ka kërkuar një masë më të zbutur, duke argumentuar edhe faktin e dorëzimit të Sulçajt, por togat e zeza e kanë lënë në burg pa afat. Nga ana tjetër, 48-vjeçari nuk ka pranuar të flasë, duke mos dhënë shpjegime për rrethanat e krimit ku mbeti i vrarë italiani Sarchi.
Ngjarja e rëndë, ku mbeti fillimisht i plagosur rëndë biznesmeni italian, por më pas ndërroi jetë, ndodhi më 27 shtator në Salari të Tepelenës, ku Edoardo Sarchi kishte shkuar te banesa e mikut të tij Eqerem Braçi dhe djemve të këtij të fundit për gjah.
Kamber Sulçaj po udhëtonte me makinën e tij drejt stanit që kishte në pronësi, jo shumë larg vendit ku ndodhi ngjarja. Në rrugë, ai është ndeshur me automjetin ku ndodhej Gazmend Braçi, së bashku me disa miq. Për shkak të dritave të gjata të ndezura, mes tyre ka shpërthyer një debat i ashpër verbal, i shoqëruar me fyerje dhe sharje.
Pas përplasjes verbale, Gazmend Braçi është nisur drejt banesës së tij në Salari, por Sulçaj e ka ndjekur nga pas.
Makina e Braçit është prishur dhe ai ka telefonuar të atin, Eqerem Braçi, që të shkonte ta ndihmonte. Ky i fundit është nisur me dy makina drejt vendit, ku në një prej mjeteve ndodhej edhe biznesmeni Sarchi. Sapo kanë mbërritur, në drejtim të tyre është qëlluar me armë zjarri. Një prej plumbave ka goditur italianin, i cili pak më vonë ka humbur jetën për shkak të gjakderdhjes së madhe.
Sipas ekspertëve, autori kishte përdorur një armë gjahu me viaska dhe me dylbi nate, të ngjashme me ato që përdoren për gjueti, armë të cilën e ka dorëzuar në polici.
/vizionplus.tv




