Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg 18 doganierët e policët, të cilët akuzohen se lejuan kalimin e 10 toneve droge drejt Italisë.
I pari që doli para trupit gjykues ishte agjenti doganor i Qafë Thanës, Maliq Kadilli. Në dëshminë e tij, i pandehuri nuk i pranoi akuzat, duke thënë që kishte kryer vetëm detyrën dhe për këtë gjë, gjykata duhet te caktonte një masë më të lehtë sigurie. Por, trupi gjykues la në fuqi kërkesën e prokurorit, i cili kishte kërkuar më herët që të pandehurit të qëndrojnë në burg, deri në përfundim të hetimeve. Edhe ish-shef i stacionit policor në portin e Durrësit Julian Doraci hodhi poshtë pretendimet e akuzës.
Prokuroria pretendon se ka prova se rasti i parë i kalimit të drogës u regjistruar në datën 5 shkurt të këtij viti, kur në Itali u zbulua një kamion me 8 ton hashash.
Automjeti kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë. Shoferi maqedonas doli nga territori ynë përmes portit te Durrësit, edhe pse ne procesverbal ishte shënuar se duhej të largohej nga pika kufitare e Hanit të Hotit.
Destinacioni final i drogës sipas Prokurorisë, ishte Belgjika. Pak kohë më vonë, në 24 mars, në Itali u kap një tjetër kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis. Edhe ai ishte nisur nga Durrësi. Hetimet zbuluan se këta punonjësit e doganës bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të kaluar sasitë e mëdha të drogës drejt vendit fqinj.