Në Bullgari po zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale.

 

Qytetarët do i drejtohen qendrave të votimit në zgjedhjet e treta parlamentare të këtij viti për t’i dhënë fund një krize politike. Partia “Ka një popull të tillë”, e udhëhequr nga prezantuesi televiziv Slavi Trifonov, doli forcë e parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në korrik të këtij viti, por nuk ishte në gjendje të siguronte një shumicë qeverisëse.

 

Sipas sondazheve, partia GERB e Bojko Borisov, i cili ishte kryeministër për më shumë se një dekadë, do të jetë partia që do të fitojë më shumë vende në Asamblenë Kombëtare me 240 vende. Sipas përllogaritjeve të fundit, lëvizja anti-korrupsion “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, e formuar pas zgjedhjeve të parakohshme nga ish-ministrat e Ekonomisë dhe Financave do të dalë e dyta.

 

Por bisedimet për formimin e koalicionit do të jenë të vështira. Konservatorët bullgarë duhet të jenë në gjendje të gjejnë partnerë koalicioni për të mbledhur të paktën gjashtë parti politike.

 

Gjithashtu, rreth 6.7 milion votuesve iu kërkohet po sot, të zgjedhin kryetarin e ri të shtetit, mes një totali prej 23 kandidatësh në garë. Presidenti aktual i vendit, Rumen Radev konsiderohet si fitues i një mandati të dytë pesë-vjeçar.

 

Por, është e paqartë nëse ai do të sigurojë shumicën prej 50 përqind të nevojshme për të shmangur balotazhin. Sfiduesi i tij më i fuqishëm është Anastas Gerdzhikov, i cili mbështetet nga GERB, dhe i cili e ka akuzuar Radevin për ndarjen e kombit.

 

Në zgjedhjet presidenciale, nëse pjesëmarrja është nën 50 përqind, presidenti i ri do të zgjidhet më 21 nëntor.

 

Paqëndrueshmëria politike ka mbajtur peng edhe bisedimet me Maqedoninë e Veriut për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Sofja zyrtare ka bllokuar  hapjen e negociatave për Shkupin për shkak të përplasjeve për gjuhën edhe historinë, çka ka penalizuar edhe Tiranën.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *