Ish-presidenti Bujar Nishani është i bindur në fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Nishani deklaroi se qytetarët e shohin realitetin dhe e dinë se kundërshtari, pra Edi Rama, do të bëjë gjithçka për të manipuluar votat.
Ai shtoi se fushata elektorale e 25 prillit është një betejë për të bërë ndryshimin.
“Fushata elektorale deri më 25 prill dhe vetë 25 prilli do të jetë një betejë, në kuptimin mirëfilli të fjalës. Do të jetë një betejë, pasi Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës kanë përballë jo një kundërshtar politik por një rregjim hibrid gangsterrësh, një bandë trafikantësh, jo vetëm substancash por edhe parash, influencash dhe pushtetesh. Nuk ka asnjë surprizë dhe në këto zgjedhje ashtu siç në 2015, siç në 2017, siç në 2019! Edi Rama është po i njëjti, ai që ka qenë në zgjedhjet e 2009 dhe ai që ka qenë në çdo palë zgjedhje më tej. Kush nuk e kupton këtë situatë është i gabuar dhe jashtë realitetit. Por këtij realiteti nuk mundet t’i ikësh, nuk mundet as t’i fshihesh. Ka vetëm një alternativë! Betejë! Beteja është Përgjegjësi dhe Art. Arti duhet shpalosur me të gjithë kapacitetin e mundshëm, përgjegjësia duhet ndjerë në të gjithë thellësinë që përmban. Kjo përmbushje do na çojë në fitore pa asnjë dyshim sado manipulative dhe xhahile të jetë banda hibride e gangsterrëve përballë.”





