Britanikët votojnë sot në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në zgjedhjet e përgjithshme të cilat pritet të kthejnë në pushtet partinë Laburiste të Keir Starmer dhe të çojnë në opozitë partinë konservatore të Rishi Sunak, për herë të parë pas 14 vitesh.

Qendrat e votimit janë hapur që prej orës 7 të mëngjesit dhe do të presin votuesit deri në 22;00, sipas kohës lokale.

Janë më shumë se 50 milionë shtetas britanikë që janë regjistruar për të votuar. Ata do të zgjedhin 650 deputetët e parlamentit për 5 vjeçarin e ardhshëm përmes qendrave të votimit, me postë ose përmes një përfaqësuesi.

Zgjedhjet e kësaj të enjte në Mbretërinë e Bashkuar po zhvillohen pas vendimit t ë papritur të kryeministrit Rishi Sunak, i cili caktoi datën disa muaj përpara afatit, pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale që u mbajtën pak javë më parë.

Sondazhet para zgjedhjeve kanë treguar se ai do të humbasë sërish, madje do të shënojë numrin më të ulët të vendeve në parlament në historinë e partisë së tij.

Partia Konservatore ka dështuar të bindë votuesit për çështje si rritje e kostove të jetesës, kriza në sistemin shëndetësor dhe emigrantët.

Numërimi i votave do të nisë menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit, dhe rezultatet e para pritet të dalin pas mesnate. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *