Kryeministri britanik Boris Johnson njofton sot “ndryshime thelbësore në sistemin për trajtimin e të dënuarve për vepra terrorizmi” pas një incidenti me thikë në Londër.

 

Policia britanike vrau të dielën një person për të cilin tha se mbante në trup një eksploziv të rreme. Policia tha se ai goditi me thikë dy persona në një rrugë me shumë njerëz në lagjen Streatham në jug të Londrës.

 

Sipas zëvendës Ndihmës Komisioneres Lucy D’Orsi, policia beson se i dyshuari është 20-vjeçari Sudesh Amman, i cili kohët e fundit u la i lirë nga burgu për “vepra terrorizmi të lidhura me sfond islamik”.

 

Ai kishte hartuar dikur edhe një listë të “qëllimeve të tij në jetë”, ku përfshinte dëshirën për të vdekur si martir.

 

Një person mashkull i cili mori plagë të rrezikshme për jetën tani është jashtë rrezikut. Po ashtu, një grua që u plagos me thikë ka dalë nga spitali. Një person i tretë u plagos lehtë nga copat e xhamave kur policia qëlloi mbi të dyshuarin.

 

Incidenti i djeshëm me thikë vjen pak më shumë se dy muaj pasi Usman Khan, një terrorist i dënuar dhe i liruar para kohe nga burgu, vrau dy njerëz dhe plagosi tre të tjerë në një sulm me thikë në Urën e Londrës. Më pas ai u vra nga policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *