Ndryshe nga Izraeli ku tashmë ka filluar injektimi i dozës së katërt të vaksinës tek të moshuarit, Britania e Madhe shprehet kundër këtij hapi duke argumentuar se është i panevojshëm. Këshilltarët e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar nënvizojnë se të dhënat e deritanishme tregojnë se një injeksion i tretë ofron mbrojtje të qëndrueshme kundër shtrimit në spital.

 

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore bën të ditur se për personat mbi 65 vjeç, mbrojtja nga shtrimi në spital mbetet në nivelin e rreth 90 për qind, tre muaj pas dozës së tretë.

 

Si rezultat, Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin këshilloi qeverinë se nuk kishte nevojë të ofronte një dozë të katërt në këtë kohë por të fokusohet tek dhënia e dozës së tretë, në masë të gjerë për të rritur mbrojtjen kundër variantit Omicron.

 

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur në vazhdimësi se doza e katërt është e panevojshme, në një kohë kur shumë vende nuk kanë arritur nivelin e duhur të vaksinimit të plotë dhe atij përforcues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *