Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajdën dhe liderët evropianë shprehen të vendosur për të penguar agresionin e mëtejshëm rus në Ukrainë.

 

Gjatë një video konference ata janë dakordësuar që të vendosin sanksione të rënda ekonomike ndaj Moskës dhe të përforcojnë sigurinë në krahun lindor.

 

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, konfirmoi qëndrimin duke shtuar se Rusia e njeh shumë mirë përgjigjen që mund të marrë nga perëndimi.

 

NED PRICE

ZEDHENES, DEPARTAMENTI I SHTETIT

“Nëse trupat ruse përparojnë drejt kufirit, kjo do të ishte një sinjal për pushtim që do të marrë një përgjigje shumë të ashpër, të shpejtë dhe të bashkuar nga SHBA dhe aleatët tanë. Në këtë pikë nuk ka asnjë paqartësi, ne e dimë këtë por edhe federata ruse e di shumë mirë. ”

 

Sakaq, zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby bëri të ditur se Washingtoni ka vënë në gatishmëri rreth 8,500 trupa për t’u vendosur në Evropë, ndërsa pritet një vendim për zbarkimin e tyre.

 

JOHN KIRBY

ZEDHENES, PENTAGON

“Sikurse e tha edhe presidenti, ne mbetemi të angazhuar për një zgjidhje diplomatike por pavarësisht kësaj duhet të rrisim vigjilencën. Nëse situata përshkallëzohet, ne kemi në gatishmëri 8500 trupa shtesë si dhe aftësi të tjera ushtarake për të dërguar në Evropë. Nuk është firmosur asnjë mision deri tani por jemi në gatishmëri.”

 

Ndërkohë, Rusia ka dërguar të tjera njësi ushtarake me trupa dhe pajisje në Bjellorusi, ndërsa marina ruse ka nisur një stërvitje në ujërat afër Rusisë, si dhe Mesdhe. Pjesë e trajnimit janë 140 anije luftarake dhe anije mbështetëse, rreth 60 avionë dhe 10,000 trupa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *