Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në takimin e sotëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, por të dy janë pajtuar të vazhdojnë diskutimet në ditët e ardhshme.

 

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët që po vijnë. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk ka marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”, tha zoti Borrell.

 

Bisedimet e sotme pasuan tensionet e 31 korrikut në veriun e Kosovës ku grupe protetsuesish bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Diplomatët perëndimorë shpresonin që takimi i sotëm të sigurojë shmangien e tensioneve më 1 shtator për kur është shtyrë zbatimi i vendimeve të qeverisë.

 

Zoti Borrell tha se “ky nuk është momenti për të ngritur tensionet, është koha të kërkohen zgjidhje dhe për të zgjidhur çështjet e hapura për shumë kohë. U thashë edhe dy udhëheqësve se ky ishte një takim në formën e menaxhimit të krizës, nuk ishte një takim i zakonshëm. Synimi i këtij takimi ishte të qetësojmë situatën në teren”, tha ai.

 

Ai shprehu bindjen se kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiç e kuptuan se nuk ka një alternativë përveç bisedimeve për të zgjidhur çështjet e hapura.

 

“Padyshim ka dallime të qarta ndërmjet tyre në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ata u pajtuan për të vazhduar diskutimet në baza të rregullta në periudhën kohore në vazhdim për ta shtyrë procesin e normalizimit më shpejt”.

 

Përgjatë tërë ditës palët janë takuar ndarazi dhe së bashku me zyrtarët evropianë, ndërsa jozyrtarisht mësohet se në orët e mbrëmjes mund të takohen në ambasadën amerikane me të dërguarin Gabriel Escobar.

 

Ky është takimi i tretë Kurti-Vuçiç në Bruksel brenda një viti dhe u thirr në përpjekje për të zbutur tensionet ndërmjet të dyja palëve, që pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *