Komiteti Hetues i Rusisë e ka akuzuar zyrtarisht Darya Trepovan për terrorizëm për rolin e saj të supozuar në vrasjen e një blogeri të njohur rus të luftës në një kafene në Shën Petersburg.

 

Komiteti, agjencia më e lartë shtetërore e hetimit penal në Rusi, tha më 4 prill se Trepova, 26 vjeçe, u akuzua për kryerjen e “një akti terrorist nga një grup i organizuar që shkaktoi vdekje të qëllimshme” përmes bombardimit të kafenesë, që vrau Vladlen Tatarskyn, nofkën e blogerit të njohur Maksim Fomin. Tatarsky ishte i njohur për mbështetjen e pushtimit të Ukrainës nga Moska dhe mbështetjen për separatistët në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës.

 

Komiteti shtoi se Trepova po vepronte mbi udhëzimet e njerëzve që përfaqësonin Ukrainën, të cilën Moska e pushtoi në shkurt të vitit 2022, duke nisur kështu një luftë që ka vrarë mijëra njerëz.

 

Trepova – e cila u transferua në Moskë, ku pritet të ketë një seancë gjyqësore për t’ia shqiptuar masën e paraburgimit për të paktën dy muaj – është përshkruar në mediat ruse si një shtetase ruse dhe banore e Shën Petersburgut, e cila ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në tubimet kundër luftës. Ministria e Brendshme e Rusisë e emëroi Trepovan më 3 prill si të dyshuar për vrasjen e Tatarskyt dhe e shtoi atë në listën e personave në kërkim.

 

Pas arrestimit të saj, Ministria e Brendshme publikoi një video të Trepovas, e cila mund të ketë qenë duke folur nën presion, duke i thënë një hetuesi se ajo “kishte sjellë aty solli një bust të vogël që shpërtheu”. Kur u pyet se kush ia kishte dhënë atë, ajo u përgjigj se do të tregone “më vonë”.

 

Tatarsky u vra kur pas një shpërthimi në një kafene përgjatë brigjeve të lumit Neva, ku ai po drejtonte një diskutim.

Mediat ruse kanë thënë se Tatarsky po takohej me të pranishmit kur një grua i dhuroi atij një kuti që përmbante një bust të vogël të tij që raportohet se shpërtheu. Një dëshmitar tha për mediumin lokal Fontanka se një grua që e kishte identifikuar veten si “Nastya” kishte bërë pyetje dhe kishte diskutuar me Tatarskyn përgjatë eventit.

 

Dëshmitari tha se Nastya i kishte thënë Tatarskyt se ajo kishte bërë një bust të blogerit, por i ishte thënë nga rojet e sigurisë që ta linte në derë sepse ata dyshonin se ishte një bombë. Më pas Nastya shkoi te dera, mori bustin dhe ia dha Tatarskyt. Pasi vendosi bustin në një tavolinë, sipas dëshmitarit, ndodhi shpërthimi.

 

REN-TV postoi një video të xhiruar nga një dëshmitar okular që duket se tregon Tatarskyn teksa merr bustin.

 

Një video nga një kamerë nga jashtë kafenesë Street Bar dhe e postuar në Telegram tregon atë që thuhej se ishte momenti i shpërthimit që ndodhi rreth orës 18:15. Videoja tregonte një shpërthim që prishi dritaret e kafenesë, rrëzoi një pjesë të madhe të një objekti dhe shpërndau mbeturina në rrugë. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi se pajisja shpërthyese përmbante më shumë se 200 gram TNT.

 

Trepova dyshohet se më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Fillimisht u raportua se ajo ishte arrestuar më 2 prill, por më pas u raportua se nëna dhe motra e saj ishin thirrur për t’u marrë në pyetje dhe se ajo dyshohej se ishte në arrati.

 

Portali rus Baza tha se bashkëshorti i Trepovas, i identifikuar si Dmitry Rylov, gjithashtu është nën kërkim. Rylov besohet të jetë një anëtar i Partisë Libertariane, e cila ka thënë se ai ka qenë jashtë vendit dhe nuk kishte asnjë lidhje me incidentin.

 

Kafeneja Street Food Bar nr. 1, pranë Universitetit të Shën Petersburgut, më parë ishte nën pronësi të Yevgeny Prigozhin, i njohur si “kuzhinieri i Putinit”. Shën Petersburgu, qyteti i dytë më i madh i Rusisë, është vendlindja e Presidentit Vladimir Putin dhe vendi ku filloi ngritja e tij politike.

 

Prigozhin është një biznesmen i lidhur me Kremlinin, i cili kontrollon grupin mercenar Wagner, një forcë private që po luan një rol të rëndësishëm në përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë.

 

Tatarsky ishte një figurë e njohur në rrjete sociale dhe mbështetës i luftës së paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Blogu i tij ka rreth 500.000 abonentë dhe një paraqitje e tij tërhoqi rreth 100 njerëz në Street Food Bar nr. 1 më 2 prill. Ai luftoi përkrah forcave pro-ruse kundër forcave të Kievit në rajonin lindor të Ukrainës Donbas, ku ai lindi, pas pushtimit rus dhe aneksimit të Krimesë më 2014.

 

Gjatë një ceremonie të organizuar në shtator nga Presidenti Putin në festimin e aneksimit të jashtëligjshëm të katër rajoneve të Ukrainës nga Rusia, Tatarsky postoi një video nga brenda Kremlinit duke thënë: “Ne do t’i mposhtim të gjithë, do t’i vrasim të gjithë, ne do t’i vjedhim të gjithë sipas nevojës. Ashtu siç na pëlqen”.

 

Tatarksky konsiderohet gjerësisht nga mediat ukrainase si propagandues i Kremlinit dhe mediat pro-Kremlinit e kanë akuzuar Ukrainën se qëndron pas vdekjes së tij. Asnjë grup apo individ nuk ka marrë përgjegjësi për shpërthimin.

 

Teksa zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se veprimet e Tatarskyt “ia dhanë atij urrejtjen nga regjimi i Kievit”, Prigozhin tha se dyshonte se sulmi kishte lidhje me qeverinë ukrainase dhe se ishte kryer nga një “grup i radikalëve”.

 

Komiteti Kombëtar kundër Terrorizmit i Rusisë gjithashtu ka pohuar se sulmi ishte planifikuar nga shërbimet speciale të Ukrainës dhe nga “agjentë” që dyshohet se bashkëpunojnë me Fondacionin Kundër Korrupsionit të Aleksei Navalny.

 

Navalny është një kundërshtar i shquar i Kremlinit, i cili i mbijetoi një helmimi gati fatal në Siberi në vitin 2020, për të cilin ai e fajëson Putinin. Politikani opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit, aktualisht po vuan dënimin me nëntë vjet burgim për mashtrim në atë që mbështetësit e tije quajnë dënim me motive politike.

 

Navalny e ka kritikuar haptazi luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe Fondacioni i tij Kundër Korrupsionit është shpallur organizatë “ekstremiste” nga Rusia.

 

Këshilltari i presidentit të Ukrainës, Mykhaylo Podolyak, ka thënë se vrasja ishte pjesë e një konflikti të brendshëm në Rusi.

 

Vdekja e Tatarskyt shënon vrasjen e dytë të një mbështetësi të njohur të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në gusht, komentatorja televizive nacionaliste, Darya Dugina, u vra me një bombë në makinë pranë Moskës.

 

Autoritetet ruse fajësuan inteligjencën ushtarake ukrainase për vdekjen e Duginas, babai i së cilës është mbështetësi dhe idealologu i njohur rus i luftës, Aleksandr Dugin. Kievi mohoi përfshirjen në vdekjen e Dugina./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *