Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi akuzoi mazhorancën se po bën diversione për tubimin e 2 marsit. Në një postim në “Facebook”, Blushi tha se reagimet e qeverisë janë të rëndomta dhe prandaj kërkoi që të gjithë qytetarët të jenë bashkë në protestë.
“Të gjithë tellallëve të puçit kushtetues, që nxisin diversione të rëndomta për Manifestimin Mbarëkombëtar të 2 marsit do t’ju përgjigjesha vetëm me këtë arsye madhore për pjesëmarrje masive, që jep një personalitet i madh i kombit tonë dhe me integritet të jashtëzakonshëm, Kim Mehmeti:
“Shqipëria e ka pru punën deri aty sa shtetin duhet ta mbrosh nga pushteti, gjë që u ndodh vendeve të marra peng nga strukturat kriminale. Dhe ato shtete janë pronë e regjimit e jo e popullit. Shqipëria prej moti është bërë pronë e ‘Rilindjes’ së Piktorit, ndërkaq shqiptarët në të janë si pengje të rrezikuar, që mëkot presin shpëtim nga vendet e Perëndimit”.
Ndaj të gjithë për shtetin kundër puçit të pushtetit!”
Presidenti Ilir Meta ka kërkuar popullin të dalë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” që të ngrihen kundër mazhorancës dhe ta pengojnë këtë të fundit të kapë Gjykatën Kushtetuese.