Subscribe

Të gjithë zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve në  Ballkanin Perëndimor, që minojnë demokracinë, përfshihen direkt ose indirekt në korrupsion, apo dëmtojnë  stabilitetin e rajonit do t’u bllokohen pasuritë dhe interesat pasurore që kanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

Ky vendim është marrë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden,përmes një urdhri ekzekutiv, i cili në fakt është  ndryshimi i një dekreti ekzistues qe daton në qershor 2001 i cili përfshinte vetëm ish-Jugosllavinë teksa tashmë në të do të jetë përfshirë edhe Shqipëria.

 

 

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”

 

Sipas njoftimit zyrtar ky urdhër synon goditjen e veprimtarive që kërcënojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe korrupsioni e përhapur brenda qeverive të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, të cilat pengojnë demokracinë dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike.

 

 

“Është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, kur janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”

 

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka ritheksuar sërish angazhimin e Uashingtonit për të luftuar korrupsionin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes një deklarate për shtyp, kryediplomati sqaroi se SHBA-ja është e përkushtuar për të promovuar demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha vendet e rajonit.

 

Rendësine e këtij vendimi e ka evidentuar edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim sipas të cilës lufta kundër korrupsionit është thelbi i sigurisë kombëtare të Shteteve te Bashkuara.

 

Më 19 maj sekretari amerikan i shtetit Antoni Blinken shpalli si të padëshiruar  në SHBA  ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.

 

Në argumentimin e DASH për këtë vendim thuhej se Berisha është i përfshirë në akte korruptive si keqpërdorimi fondeve dhe ndërhyrje ne proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale.

 

Gjithashtu “non grata” janë edhe ish-prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dhe kreu i socialdemokrateve  Tom Doshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *