Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për thellim të bashkëpunimit për fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe arritjen e një marrëveshje me Serbisë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.

 

Qeveria e Kosovës, publikoi të enjten mbrëma një letër të zotit Blinken drejtuar kryeministrit Albin Kurti, në të cilën thuhet mes tjerash se “marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të rrënjosura në vlerat e përbashkëta demokratike dhe zotimin për Kosovë sovrane dhe të pavarur”.

 

Në tekstin e letrës ai thekson strehimin e qytetarëve afganë të ikur nga Afganistani dhe vendosjen e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikan në Kuvajt duke nënvizuar se kjo vë në pah mundësitë në rritje të Kosovës për të kontribuuar në sigurinë globale.

 

“Si mike dhe partnere e Kosovës, SHBA-ja pret të bashkëpunojë me ju për ta zbatuar plotësisht agjendën e presidentit Joe Biden për marrëdhënien tonë, përfshirë fuqizimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave, nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurimin e marrëveshjes së vonuar prej kohësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në letër.

 

Sekretari Blinken thekson më tej se natyra e pazgjidhur e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, “mbetet një pengesë e madhe ndaj anëtarësimit dhe integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, i cili është një qëllim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Shtetet e Bashkuara, thotë ai, besojnë që bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja mbeten forumi më i mirë për negociatat e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe për këtë SHBA-ja bashkërendohet nga afër me partnerët në BE.

 

“Shtetet e Bashkuara, shpresojnë në udhëheqjen tuaj personale për rikthimin e ‘momentumit’ në procesin e dialogut duke i mbështetur zotimet paraprake të vendit tuaj, pastaj duke e nxitur transparencën, duke i shmangur veprimet apo retorikën që mund t’i rrisë tensionet dhe duke u angazhuar në negociata me përqendrimin, kreativitetin dhe urgjencën e kërkuar”, thuhet në letër.

 

Sekretari Blinken inkurajon kryeministrin Kurti që t’i kushtojë vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës dhe për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në lidhje me personat e pagjetur, duke nënvizuar se është në interesin e Kosovës që këto çështje të zgjidhen dhe të çojnë drejt një zgjidhjeje kompromisi në planin afatshkurtër, e që të mund të shërbejnë si bazë për paparimin e mëtejshëm drejt normalizimit gjithëpërfshirës.

 

“Mbështetja e vendimeve gjyqësore, në veçanti vendimeve që ndërlidhen me të drejtat e pakicave, do të kishte efekt të ngjashëm pozitiv dhe është në harmoni me përparësitë e qeverisë tuaj për fuqizimin e sundimit të ligjit”, shkruan sekretari Blinken duke i bërë thirrje kryeministrit Kurti të punojë ngushtë me ambasadorin Jeff Hovenier dhe Përfaqësuesin e Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, “sepse të dy janë plotësisht të autorizuar për t’i adresuar këto çështje me ju”./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *