Subscribe

Zbardhen detaje të tjera tronditëse në lidhje me vetëflijimin e nënë e bijë në Tiranë, pak ditë më parë. E mbijetuara e kësaj tragjedie të padëgjuar ndonjëherë në Shqipëri, Blerta Josifi, ka dëshmuar para oficerëve të policisë, duke zbardhur tragjedinë.

Blerta ka treguar se e motra ka ndërruar jetë në datën 26 mars 2019. Anisa Josifi, prek 15 muajsh është mbajtur e vdekur në shtëpi nga nëna dhe motra e saj.

Ato e lyenin me vaj dhe uthull trupin e mbështjellë me çarçafë të Anisës për ta mumifikuar dhe që era e keqe të mos kuptohej nga fqinjët.

Blerta, e cila ndodhet në urgjencën e psikiatrisë ka thënë se e motra ka vdekur nga mungesa e ushqimit dhe ujit. Ndërkohë Zhaneta ka ndërruar jetë pak ditë para se të zbulohej ngjarja. 34 vjeçarja shtoi në dëshminë e saj se për 45 ditë bashkë me të ëmën nuk kanë ngrënë bukë, vetëm kanë pirë ujë nga çezma.

Nëna vdiq teksa humbi shpresat për të ringjallur motrën. Momenti kur ka vdekur është teksa po lutej për motrën. Prej më shumë se 1 muaj mami dhe unë nuk po konsumonim asgjë pasi vendosem të bënim këtë sakrificë për motrën. Kishim lexuar nëpër rreshtat e Biblës dhe revistave fetare se nëpërmjet sakrificës sonë, Zoti do na i shpërblente në ringjalljen e motrës. Nëna po lutej kur u rrezua në dysheme nga pafuqia për të ringjallur motrën. Gjithçka mami e ka mbajtur shënim, për të mos ngatërruar  ritin fetar“, mësohet të ketë thënë Blerta.

Sot zjarrfikëset kanë zbarkuar pranë banesës së familjes Josifi për të bërë dezinfektimin e plotë, kjo pasi banorët e kanë kërkuar për shkak të erës së keqe që vinte në pallat.

Vizion Plus publikon edhe pamjet nga brenda banesës ku duket krevati ku është mbajtur prej shumë muajsh Anisa Josifi. Banesa nuk kishte energji elektrike dhe nënë e bijë qëndronin në errësirë të plotë.

Ndërkohë, Blerta aktualisht është në një gjendje të përmirësuar shëndetësore. Por ajo po vuan pasojat psikologjike pasi ka frikë që të qëndrojë vetëm dhe nuk duron dot dritën.

Mister është edhe rruga që ka ndjekur familja Josifi në sektet fetare. Mësohet se pasi janë larguar nga Dëshmitarët e Jehovait, ata janë bashkuar me kishën Ungjillore. Por prej pak kohësh ishin larguar edhe nga kjo bashkësi për tu lidhur me një sekt sekret që predikon ringjalljen përmes vetëflijimit.

Pikërisht ky sekt, pjesë e të cilit janë edhe disa të huaj,  besohet se ndikoi në sjelljen ekstreme që i mori jetën Zhaneta dhe Anisa Josifit.

Sot dosja e policisë u dërgua në Prokurorinë e Tiranë, për nenin 99, që bën fjalë për shkaktim të vetëvrasjes.

Dosja është regjistruar pa autor dhe pritet që hetimet e organit të akuzës të hedhin dritë mbi sektet qe lidhen me këtë ngjarje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *