Subscribe

Bledi Çuçi është i përzgjedhuri i kryeministrit Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Brendshme. Nga kjo e Mërkurë emri i ministrit të ri të Brendshëm ndodhet në tryezën e presidentit Ilir Meta për dekretim.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar vijnë pas dorëheqjes së Sandër Lleshaj. Ish ministri i Brendshëm u largua pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha nga polici në detyrë Nevaldo Hajdaraj që shkaktoi protesta të dhunshme në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

Njoftimin për ministrin e ri të Brendshëm, kreu i qeverisë e bëri në rrjetet sociale, ku argumenton se integriteti, profesionalizmi dhe kultura qytetare e politike e çuan në këtë përzgjedhje. Detyrat e mbajtura më herët nga Bledi Çuçi janë e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore dhe prej 2019 i Bujqësisë.

Ky nuk është ndryshimi i vetëm që bëhet në kabinetin qeveritar. Me zhvendosjen e Bledi Çuçit nga Ministria e Bujqësisë drejt së Brendshmes, në vendin e tij do të shkojë Milva Ekonomi, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Bledi Çuçi është ministri i katër që socialistët vendosin në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme por edhe më shumë të vendosura në akuzë nga opozita.

I pari dhe me jetëgjati ishte Saimir Tahiri në periudhën 2013-2017. Pas thuajse katër vitesh, ai u largua pas akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës dhe shpërdorim detyre. Vendin e tij e zuri Fatmir Xhafaj, i cili e drejtori Ministrinë e Brendshme për një vit e pak muaj, pas akuzave të opozitës se kishte fshehur dënimin e vëllait të tij në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Energjia e re dhe pozitive që premtoi Edi Rama me emërimin e Sandër Lleshaj përfundoi në mëngjesin e 8 Dhjetorit, me vrasjen e të riut nga arma e shtetit.

Pesë muaj para zgjedhjeve, Rama dy, të paktën deri më tani do të shkojë me një ministër të ri të brendshëm, një nga institucionet që në gjithë historinë e tij të post diktaturës, si në qeverisjen e demokratëve dhe të socialistëve mbetet më i sulmuari nga opozitat përkatëse.

Tanimë pritet vetëm dekretimi i presidentit, për dy ndryshimet në qeveri, të Bledi Çuçit si Ministër i Brendshëm dhe Milva Ekonomit si Ministre e Bujqësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *