Artistja amerikane Beyonce ka shënuar rekord të ri në ndarjen e çmimeve Grammy, me fitoren e saj të 28-të.

Ylli i muzikës është kthyer në gruan me më së shumti çmime në historinë e Grammyt, duke tejkaluar edhe këngëtaren Alison Krauss.

“Jam e nderuar, jam aq e lumtur”, ka thënë ajo teksa ka pranuar trofeun për performancën në zhanrin R&B, ndërkohë që gjatë mbrëmjes së 14 marsit ka pranuar edhe tre trofe të tjerë.

Taylor Swift po ashtu ka bërë histori në ceremoninë e së dielës, duke u bërë artistja e parë grua që ka fituar çmimin për albumin më të mirë në vitit tri herë.

Ajo është nderuar për albumin e publikuar gjatë pandemisë Folklore – pasi paraprakisht ka fituar çmim për albumin Fearless më 2010 dhe albumin tjetër 1989 më 2016.

Vetëm tre artistë tjerë kanë fituar tre herë çmimin për albumin më të mirë: Frank Sinatra, Paul Simon dhe Stevie Wonder.

Në mesin e fituesve të tjerë ka qenë edhe këngëtarja Dua Lipa, e cila është shpërblyer për albumin më të mirë pop, dhe Lady Gaga e cila bashkë me këngëtaren Ariana Grande, janë bërë gratë e para që kanë fituar për bashkëpunimin më të mirë pop për këngën e tyre Rain On Me.

Një nga fjalimet më emocionale kanë ardhur nga reperja amerikane Megan Thee Stallion, e cila ia ka dedikuar nënës së saj çmimin për artisten më të mirë.

Nëna e saj ka vdekur më 2019 si pasojë e tumorit në tru.

“Ajo nuk ka mundur të jetë me mua sonte. Mirëpo ajo e ka ditur se unë do të jem pjesë e Grammyt. Unë jam aq mirënjohëse që jam këtu”, ka thënë ajo.

Ceremonia e këtij viti është mbajtur duke respektuar distancën fizike, për shkak të pandemisë së koronavirusit, si dhe performancat e këngëtarëve kanë qenë të incizuara paraprakisht./ Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *