Përpara zgjedhjeve parlamentare të 26 shtatorit në Gjermani, përfaqësuesit e shtatë partive kryesore të vendit, u përballën në debatin e fundit televiziv.

Cështjet e sigurisë, politikat e brendshme, ndryshimet klimatike dhe politika e jashtme morën një fokus të veçantë.
Aleanca konservatore e Merkelit, Demokristiane / Kristian-Sociale qëndron pas Social-Demokratëve të qendrës së majtë në sondazhe, ndonëse dallimi është zvogëluar në ditët e fundit.

Sakaq dy kandidatët që synojnë të zëvendësojnë kancelaren Angela Merkel, Ministri i Financave dhe Zëvendës-kancelari, Olaf Scholz nga SPD dhe Armin Laschet nga CDU/CSU, kanë bërë thirrje për nje Bashkim Evropian më të fuqishëm.
Ndërsa Annalena Baerbock, kandidate nga Partia e Gjelbër, ka bërë thirrje për politike të përbashkët të BE-së ndaj Kinës. Ajo ka propozuar një kombinim të “dialogut” dhe “ashpërsisë” ndaj Pekinit.

Sondazhet kanë treguar se Baerbock ka përkrahje prej 16.5 për qind, duke i dhënë partisë së saj mundësi reale për t’u bërë partnere e koalicionit në qeverinë e ardhshme.

Bisedimet e koalicionit ka të ngjarë të zgjasin me javë, ndoshta muaj, duke e mbajtur kancelaren Merkel në detyrë edhe pak më gjatë.
Bundestagu ka zyrtarisht 598 vende dhe është i vetmi organ që zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit. Gjysma e Bundestagut përbëhet nga kandidatë nga 299 zonat elektorale të vendit, secila dërgon një fitues në Bundestag.
Pjesa tjetër e parlamentit vjen nga votimi i dytë për listat e partive politike. Secila parti paraqet një listë kandidatësh në secilën prej 16 shteteve federale të Gjermanisë.

Një partie politike i duhet të paktën 5% e votës së dytë ose të paktën tre vende elektorale për të hyrë në Bundestag. Partitë politike shpesh duhet të negociojnë pas zgjedhjeve për të formuar një koalicion me shumicë që mund të udhëheqë qeverinë.

Kandidatët për kancelar përcaktohen nga partitë para zgjedhjeve. Me pas, kancelari emërohet nga presidenti federal dhe miratohet nga Bundestagu në një votim të fshehtë. Për t’u zgjedhur, kancelari federal duhet të fitojë një shumicë absolute të votave, e njohur si shumica e kancelarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *