Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti se për opozitën është kusht votimi i të gjithë emigrantëve, të cilët nuk kanë një dokument biometrik të shtetit shqiptar.
Gjatë një konference me gazetarët Berisha sqaroi se çdo emigrant duhet lejuar të votojë, edhe kur ka një dokument të skaduar identifikimi edhe kur nuk ka asnjë dokument shqiptar, por është i pajisur me pasaportën e shtetit ku jeton, pasaportën italiane, gjermane apo amerikane.
“E vërteta është se dokumentet shqiptare i disponojnë më së shumti ata që nuk janë legalizuar në vendet ku jetojnë dhe për këta ka statistika. Këta janë më pak se një e treta. Ne kemi përgatitur amendamentin dhe ne kërkojmë me ligj që këtyre t’u njihet çdo dokument biometrik i vendit ku jetojnë. Qoftë letërnjoftim, qoftë pasaportë. Jashtë kësaj kërkese, ne nuk mund të pranojmë kurrë të përjashtojmë dy të tretat e emigrantëve dhe diasporës tonë nga votimi”, tha Berisha.
Berisha theksoi se pa u plotësuar ky kusht, PD nuk voton asnjë propozim tjetër për kodin zgjedhor
“Asnjë votim nuk bëhet për këtë çështje në parlament, në rast se u mohohet, nëse parlamenti nuk pranon, por sanksionon praktikën e mohimit të 2/3 të shqiptarëve të drejtën për të votuar, as bëhet fjalë që ne nuk pranojmë kurrë këtë. Është jashtë çdo lloj mundësie ta pranojmë këtë”, tha kreu i PD-së.
Kryetari i PD, Sali Berisha për herë të parë sqaroi edhe procesin e primareve që do të aplikohet në Partinë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Berisha saktësoi se renditja e kandidatëve në listën e sigurt për deputet apo në listën e hapur do të varet nga rezultati i primareve
“Lista e mbyllur do të përcaktohet nga gara, nga primaret dhe rezultati në primare”, tha Berisha.
Periudha kur pritet te zhvillohen primaret përkon me fushatën për regjistrimin e diasporës e duke u përpjekur të mos i shfokusojë demokratët nga puna me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, Berisha ka lajmëruar se diaspora do të ndikojë në rezultatin e primareve.
“Të fillojnë që sot garën për votën e diasporës. Dmth, të fillojnë që sot regjistrimin e numrit më të madh të mundshëm të qytetarëve me të drejtë vote në emigracion dhe diasporë. Do të jetë dhe ky një kontribut i tyre i madh dhe që padiskutim do të marrë vlerësimin e duhur”, sqaroi Berisha.
Procesi i primareve në Partinë Demokratike po shoqërohet me jo pak debate të brendshme.
Bujar Leskaj është ndër të paktët zëra që publikisht ka dalë kundër; por shumë prej drejtuesve të PD veçanërisht ata që kanë eksperiencë janë kundër primareve, pasi mendojnë se ato çajnë partinë në prag të zgjedhjeve parlamentare.
Por pavarësisht kritikëve Sali Berisha ka vendosur të zbatojë statutin dhe ti përzgjedhë kandidatët për deputet nga vota e demokratëve. Ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohen primaret, por mendohet të jenë në fund të muajit shkurt ose fillimin e muajit mars, në mënyrë që të mos pengohet puna e demokratëve në diasporë.
Për të inkurajuar punën me emigrantët, PD po mendon që ose të përfshijë diasporën në primare ose të vendosë një sistem ku ai që regjistron më shumë të ketë emigrantë ti shtohet në rezultatin e primareve.
Deri tani mësohet se drejtuesit politikë nuk do të hyjnë në primare, por do të jenë automatikisht në listën e mbyllur.
Ndërkohë që kryetarët e degëve të PD duhet të japin dorëheqjen nëse duan të garojnë për tu bërë deputetë./vizionplus.tv