Kryetari i PD, Sali Berisha, nga Brukseli vlerësoi raportin që Komiteti i Jashtëm i Parlamentit miratoi për Shqipërinë. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u fokusua te pjesa e raportit që lidhet me procesin e 11 majit.
“Ky raport denoncoi me qartësinë më të madhe farsën elektorale të 11 majit 2025, pasi e vërteta është se raporti citon hyrjen e raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE, në të cilin, që në rreshtat e para, thuhet se qeveria përdori burime të gjera për të dominuar në zgjedhje. Pra, faktikisht ajo do të thotë se qeveria, se shteti ligjor i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale.”
Berisha komentoi edhe qëndrimin e kreut të Komisionit të Jashtëm, David McAllister, për një mision faktmbledhës:
“Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve njoftohen dy misione faktmbledhëse, kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë, është një e sëmurë mbi të cilën ka një fokus të madh nga tempulli i demokracisë, nga Brukseli. Nga Parlamenti Europian.”
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Berisha takoi edhe drejtuesit e PD në Bruksel, duke paralajmëruar protesta para institucioneve ndërkombëtare:
“Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve.”
Pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 majit, Berisha është fokusuar te beteja për të bindur faktorin ndërkombëtar për problemet që, sipas tij, kanë zgjedhjet në Shqipëri.
/vizionplus.tv





