Sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç nuk munguan, pas komenteve të këtij të fundit për zgjedhjet në Shqipëri. Në “Facebook”, Berisha renditi disa arsye pse, sipas tij, Vuçiç po bën fushatë për Edi Ramën.

 

“Prapa këtyre ndërhyrjeve të pashembullta në fushatë elektorale të serbomadhit Vuçiç në  favor të argatit të tij në Tiranë qëndrojnë:

a- Fundi më 25 prill i vasalitetit të Tiranës ndaj Beogradit;

b- Fundi i mbështetjes nga Tirana vasale e projektit luftnxitës të Serbisë së Madhe;

c-Fundi i luftës së ftohtë të qeverisë shqiptare ndaj Prishtinës zyrtare;

d- Ardhja në pushtet e Lulzim Bashës pas asaj te Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në Kosovë, pra e një gjenerate të re politikanësh për kombin shqiptar, shënon një epërsi të madhe politike, diplomatike dhe imazhi në rrafshin ndërkombëtar për të dy vendet, krahasuar me udhëheqjen arkaike që ai përfaqëson në Beograd dhe që argati i tij përfaqësonte në Tiranë.”

 

Berisha deklaroi se Vuçiç ka frikë nga Lulzim Basha, mos ky i fundit, kur të bëhet kryeministër, i ngre akuza për krime lufte.

 

“Serbomadhi Vuçiç që citon si papagall tezat e argatit të tij në Tiranë, duke thënë se prapa Bashës qëndron Berisha, ka një problem të madh personal me Bashën. Ai i trembet shumë kontributit direkt të Bashës si njohës i mirë i dosjes së Millosheviçit në Hagë se mos Basha kryeministër mbështet nismën tashmë publike të nisur nga disa politikanë të njohur perëndimorë për ngritjen nga drejtësia ndërkombëtare të akuzës për krime lufte dhe genocid kundër Aleksander Vuçiç geobelsit të Millosheviçit. Me këtë rast, duke dënuar me ashpërsinë më të madhe ndërhyrjen flagrante të serbomadhit Vuçiç në fushatën elektorale në mbështetje të argatit të tij Zografi Bis, dua ta garantoj atë se më 26 prill ai dhe argati i tij do të marrin përgjigjen e hidhur dhe të merituar nga shqiptarët.”

 

Gjatë një interviste televizive, numri një i Beogradit pohoi se po ndiqte me vëmendje sondazhet, të cilat sipas tij sugjerojnë një diferencë nga 1 deri në 3 për qind mes partive kryesore.

 

Vuçiç deklaron se pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha, të cilin e konsideron si promovues të idesë për Shqipërinë e Madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *