Refuzimi i kandidatit Florjan Binaj për të dalë në fushatë me kryetarin e Partisë Demokratike, duket se nuk e ka shqetësuar Sali Berishën, i cili në komunikimin e përditshëm me gazetarët vlerësoi qëndrimin e kandidatit që sot gëzon mbështetjen e shumicës së partive opozitare në vend.
Berisha shpjegoi se Florjan Binaj është kandidat i pavarur dhe është normale të hartojë strategjinë e tij të fushatës zgjedhore.
“Nëqoftëse është i pavarur, nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive. Por kryetarët e partive do të angazhohen me të gjitha mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë”, tha Berisha.
Berisha shpjegoi se vendimi për të mbështetur një kandidat të pavarur në Tiranë është hapi i parë drejt hapjes së Partisë Demokratike ndaj figurave të reja.
“Ky ishte, thashë, një hap shumë i rëndësishëm, hapa të tjerë do të bëhen. Demokratët duhet ta dinë. Iku koha kur PD-ja mbrohej nga një agresion mafioz kombëtar dhe ndërkombëtar. Tani është në sulm”, tha Berisha.
Ndërkaq, lideri i opozitës, Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të asgjësojë politikisht Erion Veliajn. Për të mbështetur këtë akuzë, Berisha përdori edhe lajme që, sipas tij, vijnë nga burgu i Durrësit, ku ndodhet Erion Veliaj.
“Para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. E thashë këtë se Edi Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj dhe do ta shohë me çdo kusht të asgjësuar”, përfundoi kreu i PD.




