Kryetari i PD Sali Berisha u shpreh i gatshëm që të gjitha partitë e opozitës të dalin me një kandidat të përbashkët nëse do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Gjatë një konference me gazetarët, Berisha pranoi idenë e bashkimit të opozitës rreth një kandidati, përsëriti qëndrimin e tij të hershëm se për kryeqytetin duhet të garojë një njeri politik.
“Për të dalë partitë opozitare më një kandidat, këtë e mbështes plotësisht. Por që të pretendohet të zgjidhet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, një njeri jopolitik, një gjë të tillë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Sepse ai të paktën duhet të ketë një program, në të cilin çmonton të gjithë batërdinë bazuar në politikën e narkoshtetit në Tiranë”, tha Berisha.
Edhe sot Berisha denoncoi elemente të procesit të 11 majit të cilët sipas tij tregojnë manipulimin e zgjedhjeve duke treguar pamjet e një qendër votimi ku një qytetar del nga dhoma e fshehtë me dy fletë votimi, duke ngritur dyshimin se një person ka votuar dy herë.
“Votues me dy fletë votimi”, tha Berisha.
Si argument për farsën elektorale Berisha ka paraqitur edhe rezultatin e votës preferenciale për kandidatët e PS në burgun e Peqinit ku më e votuara është Sara Mila, e cila sipas Berishës është mbështetur nga Suel Çela.
“A mund të imagjinoni ju, nga 102 vota të vlefshme, e adhuruara pafundësisht Sara Mile, merr 92 vota. Shikojeni, princesha e burgut, Sara Mile”, tha kreu i PD.
Prej fillimi PD dhe Sali Berisha kanë deklaruar se nuk do ta pranojnë rezultatin e 11 majit dhe çdo ditë Berisha ka publikuar elemente që sipas tij faktojnë se vullneti i qytetarëve u deformua./vizionplus.tv