Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama, gjatë foltores që po mban në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Në fjalën e tij, Berisha ka kërkuar largimin e kryeministrit, duke deklaruar se vendi gjatë viteve të qeverisjes nga Rama, ka shkuar shumë mbrapa dhe është varfëruar.
Ai shtoi më tej se largimi i Ramës nga pushteti është e vetmja zgjidhje.
“Në këtë shesh që ne e kemi pagëzuar si sheshi i lirisë, është sheshi i misionit të madh të guximtarëve për të përzënë nga pallati i krimit një bandë.
Në ekzistencën tonë, ne kemi njohur shumë pushtime, shumë diktatura, por nuk kemi shkuar mbrapa si këto vite.
Nuk kemi humbur mbi 45% të materies kombëtare si këto 12 vite. Asnjëherë nuk jemi varfëruar si këto 10 vite. Nuk ka pasur një klikë antishqiptare, sa sot. Ne jemi dëshmitarë të një krize ndër më të paimagjinueshmet, e cila zhveshi lakuriq para shqiptarëve hajdutin më të madh, Edi Ramën. U desh akuza e bazuar në dokumenta zyrtare të vjedhjes nga zv.kryeministrja për të bërë që Rama tu thotë shqiptarëve që hajduti jam unë dhe drejtësinë nuk e lë të veprojë. Nuk ka ndodhur kurrë kjo që ti lejojë vetes një akt të tillë. Cilido, do kishte vetëm një rrugë, largimin e menjëhershëm”, tha Berisha./vizionplus.tv





