Sali Berisha ka zhvilluar një bqashkëbisedim me minatorët e Bulqizës pasditen e sotme.
Berisha tha se minatorëve të Bulqizës u janë bërë padrejtësi pasi asnjëherë nuk janë shpërblyer dhe nuk kanë marrë atë që meritojnë.
Berisha: Shoqëria shqiptare, shteti shqiptar kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë. E them këtë sepse ju, baballarët tuaj, njerëzit tuaj, në dekada e dekada, keni derdhur lumenj djerse nëntokë në kushte shumë të vështira me sakrifica të mëdha, herë herë dhe jetën dhe ju nuk keni marrë, nuk jeni shpërblyer asnjëherë për atë që meritoni. Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve.
Berisha tha se është i vendosur që nëse vjen në pushtet më 11 maj, të shlyejë borxhin ndaj tre kategorive që sipas tij shoqëria është në borxh; pronarëve, minatorëve dhe të përndjekurve. Në 100 ditët e para të qeverisjes, Berisha premtoi se do të firmoset statusi i minatorit.
Berisha: Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet. Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit. Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja! Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye! Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë.
Gjithashtu premtoi lehtësia për sipërmarrësit eksportues.
Berisha: Do kompensojmë qindarkë për qindarkë euron që e shtrinë përdhe trafikantët. Futet narkoeuro me kontejner dhe këtu ndërmarrja falimenton se ai me euro eksporton. Por euroja e zhvlerësuar atë e dëmton 35 përqind. Qëllimi ynë është që këto pasuri botërore, Bulqiza përsëri ka rezerva botërore kromi, absolutisht ua them unë këtë. Janë bërë studime nga kompanitë më të mëdha në botë. Ata më thanë mua se janë akoma edhe 22 milionë ton për t’u shfrytëzuar. Nuk është vetëm Bulqiza. Shqipëria ka pasuri përrallore minerare. Malet e saj janë mineral. Kështu që çështja e statusit do jetë një nga çështjet më serioze tona.





