Menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, e cila zgjati vetëm 30 minuta, Partia Demokratike mblodhi me urgjencë Grupin Parlamentar.
Seanca e sotme, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë, u mbyll pas tensioneve mes opozitës dhe mazhoracës.
Mazhoranca votoi e vetme dhe miratoi programin qeverisës dhe kabinetin e ri qeveritar.
Edhe pse opozita u paralajmërua disa herë që të mos shkaktonte zhurmë dhe të merrte pjesë në diskutime, deputetët opozitarë vijuan me skenarin e zhurmës duke bllokuar foltoren dhe duke penguar Ramën të prezantonte programin.
Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, u fokusua në analizimin e zhvillimeve të fundit në Kuvend, miratimin pa debat të programit dhe kabinetit të ri qeveritar nga mazhoranca, si dhe në hapat e mëtejshëm të opozitës për të kundërshtuar mënyrën e menaxhimit të procesit parlamentar.
Berisha tha se do të vendosë së bashku me deputetët e tjerë të opozitës se si do t’i përgjigjen këtij akti, të cilin ai e quajti të pashembullt.
Berisha: Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt. Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën. Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat.
Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim. Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona.
Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm./vizionplus.tv





