Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka shprehur ngushëllimet familjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra me armë zjarri ditën e sotme brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit.
Berisha ka dënuar aktin e rëndë dhe ka kërkuar dënim të rreptë për autorin.
Autor i dyshuar i ngjarjes është Elvis Shëmbi, 30 vjeç, i cili qëlloi ndaj gjyqtarit në momentin që ky i fundit po lexonte vendimin.
Të plagosur mbetën edhe Ervis dhe Rakip Kurtaj, palë në procesin gjyqësor.
Berisha: Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja. Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar me armë zjarri sallen e gjyqit, në detyrë, gjyqtarin e Apelit Astrit Kalaja, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe.
Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar dhe kriminal ndaj gjyqtarit në sallen e gjyqit , dëshmi e kontrollit të rendit nga krimi dhe pasigurisë së madhe që ekziston sot në vend.
Kërkoj dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi shumë të rëndë./vizionplus.tv





